Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pretenduar me anë të një postimi që serbët protestues në veri po “detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë”. Megjithatë, një gjë të tillë e ka kundërshtuar politikani serb, Aleksandar Jabllanoviq. Sipas tij, ky peticion është iniciuar për tërheqjen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Ministri Sveçla e ka bërë një pretendim të tillë në një postim në Facebook, duke e lidhur me Listën Serbe.
“Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave.” – ka thënë ai.
Por, një pretendim të tillë e ka mohuar Aleksandër Jabllanoviqi nga Leposaviqi, që u shpreh se ky ishte një peticion për tërheqjen e njësive speciale nga veriu.
“Ai është peticion për tërheqjen e njësive policore nga veriu”, tha ai.
Nacionale nuk ka arritur që ta konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimin e ministrit Sveçla deri në këtë moment. Në fotografitë e shpërndara nga z. Sveçla, nuk duket përmbajtja e dokumenteve në fjalë.
Por, nëse z. Sveçla është lajthitur, atëherë ky do të ishte një dëm tjetër i madh për Republikën e Kosovës.
Kujtojmë që Policia e Kosovës ishte dënuar nga faktorët ndërkombëtarë për shkak se kishin gënjyer në lidhje me një rast që kishte ndodhur në Leposaviq ku kishte pasur të shtëna me armë zjarri ndaj një qytetarë serb nga ana e Policisë së Kosovës.