Falë angazhimit te ambasadorit, William Walker, bota e njohu dhe reagoi ndaj gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla priti në ambientet e MPB-së ambasadorin Walker dhe theksoi se për gati dy orë takim kanë biseduar për progresin e Kosovës.
“Kisha nderin e madh të mirëpres sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme mikun tim të veçantë, mikun e përhershëm të popullit shqiptar, zërin e së vërtetës, atë të Reçakut, Ambasadorin William Walker. Për gati dy orë takim të përzemërt biseduam për progresin e Republikës së Kosovës, për demokratizimin e institucioneve tona si shembull në rajon e për angazhimin tonë të përditshëm në sundimin e rendit, ligjit, luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit në çdo cep të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka potencuar se çdo fjalë e ambasadorit Walker është motiv i madh për të gjithë ne.
“Secila fjalë admiruese e tij për përparimin e vendit tonë është motiv i madh për të gjithë ne. Ambasadori Walker është dhe do të mbetet gjithmonë miku ynë i madh, falë angazhimit të së cilit mbarë bota njohu dhe reagoi ndaj gjenocidit të Serbisë në vendin tonë”, ka shtuar Sveçla.