0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Sveçla shkon te Kryetari i Leposaviqit: Edhe këtu është Republikë e Kosovës, do t’i tejkalojmë këto vështirësi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka vizituar sot Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, i cili dje arriti të hynte në zyre vetëm pas asistimit të Policisë së Kosovës.

Pas takimit, Sveçla ka thënë se i ka ofruar atij mbështetje.

“Erdha e vizitova kryetarin e Komunës të cilit i dëshirova punë të mbarë. Shpreha mbështetjen tonë. U pajtuam që ka nevojë të gjitha institucionet qoftë vendore qoftë qendrore të punojnë për të mirën e qytetarëve me iu shërby qytetarëve përkundër vështirësive, ne jemi të bindur që të gjithë këto vështirësi do t’i tejkalojmë” citohet të ketë thënë Sveçla, sipas Kallxo.com

“Policia e Kosovës është Kosovës dhe këtu është Republikë e Kosovës” – shtoi ministri Sveçla.

Ndryshe, tensionet në veri të vendit u rritën pas betimit të kryetarëve të rinj, të cilët dje duhej ta fillonin punën në objektet përkatëse komunale.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, në përpjekje për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre. Ata arritën të futen në zyret e tyre, me asistimin e Policisë.

Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar ashpër ndërkombëtarët. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve.

Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.

Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img