1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Sveçla reagon për rastin e policit që e filmoi serbin e prangosur, video u shpërnda në rrjetet sociale

Në rrjete sociale ka qarkulluar një video e serbit Nenad Orloviq, i arrestuar në veri, i cili shihet i prangosur, me një thes të zi në kokë dhe pa rroba në pjesën mbi bel. Lidhur me publikimin e kësaj video ka reaguar Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, i cili njofton se ka ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast.

Ministri Sveçla njofton se Zyrtari Policor i cili ka kryer këtë akt, mbrëmë është suspenduar nga detyra dhe po vazhdon të hetohet nga IPK-ja

Ministri Sveçla shprehet se “çdo i burgosur ka të drejtat e tij të garantuara me ligjet tona e me ato ndërkombëtare, teksa për veprat dhe shkeljet ligjore ballafaqohet me drejtësinë. Ky për ne është një parim themelor i cili vlen ndaj të gjithëve dhe pa dallim etnie”.

Tutje, Sveçla thekson se situata e sigurisë në veri vijon të mbetet e brishtë.


Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Policia e Kosovës, duke informuar se Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jugu, ka filluar procedurat disiplinore ndaj zyrtarit policor.

“Në një rast të fundit, ku është shpërndarë një video e një të dyshuari të arrestuar, nën dyshimin se ka shkelje disiplinore në këtë rast nga një zyrtar policor, duke u bazuar në udhëzimin përkatës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jugu, ka filluar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari policor, i cili me vendim të drejtorit rajonal është suspenduar. Ky rast do të trajtohet bazuar në procedurat policore dhe po ashtu është proceduar për hetim dhe kompetencë të mëtejme në IPK”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PK-së.


Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

Situata e sigurisë në veriun e vendit tonë vijon të mbetet e brishtë mirëpo përkundër të gjitha rrethanave dhe sfidave me të cilat ballafaqohemi, Policia e Kosovës dhe të gjithë akterët e sigurisë po vazhdojnë të angazhohen maksimalisht dhe suksesshëm për ofrimin e sigurisë për vendin dhe të gjithë qytetarët tanë pa dallim.

Republika e Kosovës vlerësohet nga të gjithë si shteti më demokratik në Ballkan, duke ruajtur dhe promovuar vlerat dhe parimet bazë të të drejtave të njeriut.

Çdo i burgosur ka të drejtat e tij të garantuara me ligjet tona e me ato ndërkombëtare, teksa për veprat dhe shkeljet ligjore ballafaqohet me drejtësinë. Ky për ne është një parim themelor i cili vlen ndaj të gjithëve dhe pa dallim etnie.

Mbrëmë përmes mediave kam parë videon denigruese ndaj një të arrestuari teksa ndodhej në ndalim në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Jugut. Zyrtari Policor i cili ka kryer këtë akt, mbrëmë është suspenduar nga detyra dhe po vijojnë procedurat hetimore nga IPK.

Kam përgëzuar dhe vazhdoj të përgëzoj secilin aksion të organeve tona që bëhet me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë e të sigurtë, për mirëqenie, barazi e drejtësi për të gjithë dhe pa dallim. Mirëpo, inçizimi i të arrestuarit apo të burgosurit është absolutisht i papranueshëm dhe është i dënueshëm me të gjithë mekanizmat ligjor në dispozicion. Prandaj, pa asnjë hezitim dje kam ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img