Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga bastisja e kriminelit serb, Milan Radoiçiq, në veri të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se është dëshmuar edhe me prova tjera që Radoiçiq ishte udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.
“Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami”. Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq”, shkroi ai.
Sveçla e ka krahasuar Radoiçiqin me Pablo Escobarin, duke thënë se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie”.
Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë. Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist”, shkroi ai.