Site icon PrishtinaPress

Sveçla: Po të mos kishim vonesa në reagim ndaj kidnapimit të 3 policëve, Banjska s’do të ndodhte

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Komisionin për Siguri, ka folur për të hyrat e policëve të Kosovës.

Ai tha se ka pasur rritje të pagës bazë të policëve.

Sipas tij, pakënaqësitë e tyre janë duke i adresuar me Sindikatën e Policisë së Kosovës, me të cilën tha se kanë takime të rregullta.

“Mundohemi që për të gjitha pretendimet t’i sqarojmë, por nuk do të thotë që të gjitha kërkesat dhe pretendimet mund t’i përmbushim. Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe në Evropë, dhe kërkesat që mund të duken të drejta, duhet të shihen se çfarë barre buxhetore bien. Por në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit të japin, që dorën të zemër, është një kontribut i jashtëzakonshëm. E gjithë Policia ka qenë maksimalisht e mobilizuar që në plotëni të realizojmë detyrat dhe obligimet që na janë dhënë dhe besoj që tashmë është e faktuar që këto detyra jemi duke i plotësuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ministri Sveçla.

Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, kërkoi nga ministri të dijë nëse do të ketë shtesa dhe privilegje të qëndrueshme të policëve.

“Duke pasur parasysh se çfarë fqinji verior kemi, emergjencat nuk do të kryhen shpejt. Aspiratat e Serbisë vetëm se po vazhdojnë, por edhe aktivitetet e tyre konkrete po vazhdojnë në minimin e shtetit të Kosovës. Nuk pres që këto do të kryhen shpejt”.

“Në aspektin e privilegjeve, pres që situata jo të përmirësohet, por të ngrihet. Jemi duke hyrë në procesin e përcaktimit të ekspertizës te policët, duke qenë se ka policisë që kanë ekspertizë të veçantë e të cilët duhet të klasifikohen më ndryshe se që janë klasifikuar deri tani. Për ata që nuk i dinë dallimet në PK, zakonisht kanë qenë mes gradave dhe njësiteve, ne do të kalojmë në një diferencim tjetër pozitiv ku dallimi do të bëhet në bazë të ekspertizës. Jo të gjithë policët me të njëjtën gradë kanë ekspertizë apo kualifikim të njëjtë, dhe kjo duhet të kihet parasysh”, deklaroi ministri Sveçla.

Deputeti i LVV-së, Bujar Dugolli përmendi mungesën e aktakuzave ndaj të dyshuarve në rastin e Banjskës, teksa tha se policia ka qenë shumë efikase në ofrimin e provave. Ai pyeti ministrin se çfarë po ndodhë me Prokurorinë në këtë rast duke qenë se s’ka ndonjë aktakuzë të ngritur në këtë rast.

Ministri Sveçla tha se policia ka ndërmarrë procesin hetimor, më të madhin në historinë e saj, me rastin Banjska.

“Një pjesë e këtyre dëshmive janë publike, e një pjesë është në duart e prokurorisë. Unë besoj fuqishëm se është koha e fundit që prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën një raport përfundimtar. Duke qenë se siguria patjetër është e lidhur edhe me segmente tjera të punës së institucioneve, e sidomos në diplomaci, është e duhur që edhe partnerët tanë ndërkombëtarë zyrtarisht të jenë të informuar se çfarë ka ndodhur me sulmin në Banjskë, por edhe me atë se çfarë është zbuluar, si qëllimi i këtij grupi terrorist dhe të gjitha elementet tjera që e kanë mbështet, qoftë financiarisht, qoftë me trajnime e pajisje këtë grup terrorist që duhet tashmë se ka pasur për qëllim aneksimin e një pjese të veriut të Kosovës”.

Ai tha se ka dëshmi mëse të mjaftueshme që të ngrihet aktakuzë ndaj këtyre terroristëve.

Ministri tha se posedojnë incizimet e përgatitjes së tyre, të angazhimit të tyre dhe të vetë betejës. “Kemi identifikimin e shumicës së pjesëmarrësve, të kaluarën e tyre, angazhimin e tyre në raste tjera, sepse ky grup, apo një pjesë e madhe e tij, ka qenë e angazhuar në veprimtari kriminale edhe më herët”.

Sveçla përmendi edhe rastin e sulmit me bombë në KKZ-në e Mitrovicës së Veriut, teksa tha se PK-ja me të drejtë ka arrestuar një ish-zyrtar policor, Dejan Pantiq. Por, sipas tij, ka qenë befasi lirimi me arrest shtëpiak i një të akuzuari për veprimtari terroriste.

Ai e ndërlidhi rastin e kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia muaj më parë, teksa tha se po të kishte pasur reagim tjetër të të gjithë aktorëve lidhur me këtë kidnapim, “unë besoj se edhe terroristët, por edhe vetë Serbia do të ishte shumë më e rezervuar me sulme ndaj Kosovës”.

“Por, vonesat tona, toleranca nga dikush tjetër, i ka trimëruar ata të vijnë deri te rasti i Banjskës. Ne mund të pajtohemi që edhe mund të mos jetë rasti i fundit. Prej Serbisë pritet gjithçka. Është shumë me rëndësi, që si masë preventive të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm që këta terroristë të vihen para drejtësisë. Nuk kemi edhe shumë kohë. Kemi dëshmi e suksese, por nuk e kemi kohën e pafundme që të shkojmë deri në perfeksion, të cilën asnjë agjencion i sigurisë në botë nuk e ka pasur. Në qoftë se dikush dëshiron, apo ka vullnet t’i lirojë kriminelët, pavarësisht dëshmive të policisë, aty po thirremi pastaj në pushtete të ndara”, theksoi shefi i MPB-së.

Dugolli po ashtu e pyeti ministrin se a ka arritur t’i pajisë të gjitha njësitet patrulluese me armë të gjata.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, prej ekzistencës së PK-së, fatkeqësisht për shkak të detyrës, 24 policë kanë dhënë jetën gjatë kryerjes së detyrës. Shumica nga ta kanë qenë policë të patrullave. Ky është një grup brenda policisë që ka qenë më i prekuri nga grupet kriminale. I bie që edhe më i pambrojturi, prandaj ka qenë vendim i drejtë që të gjitha patrullat tash e tutje të jenë të pajisur me armë të gjata. Kjo nuk do të thotë se publiku ynë do t’i shohë patrullat me armë të gjata, por ata do t’i kenë me vete në dispozicion për t’i përdorur gjithmonë në rast nevoje, sipas ligjeve në fuqi. Po, tashmë që jemi në proces… të gjitha patrullat do të kenë armë të gjata,. Ka qenë pak e çuditshme për mua se si më herët nuk kanë pasur të gjithë zyrtarët policorë certifikim për përdorim të armëve të gjata. Ne i jemi futur këtij procesi dhe të gjithë zyrtarët do të jenë të trajnuar edhe për përdorimin e armëve të gjata që i kanë në dispozicion”, u shpreh i pari i Ministrisë së Brendshme.

Exit mobile version