Site icon PrishtinaPress

Sveçla për kërkesën e Policisë për rritje page: I kuptojmë, por Kosova është vendi më i varfër në Evropë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur në Komisionin për Siguri për të hyrat e policëve të Kosovës dhe kërkesat e tyre për kushte më të mira të punës.

Sveçla tha se pakënaqësitë e policëve po i adresojnë me Sindikatën, me të cilën tha se zhvillopjnë takime të rregullta.

“Mundohemi që për të gjitha pretendimet t’i sqarojmë, por nuk do të thotë që të gjitha kërkesat dhe pretendimet mund t’i përmbushim. Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe në Europë dhe kërkesat që mund të duken të drejta, duhet të shihen se çfarë barre buxhetore bien. Por në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit të japin, që dorën të zemër, është një kontribut i jashtëzakonshëm. E gjithë Policia ka qenë maksimalisht e mobilizuar që në plotëni të realizojmë detyrat dhe obligimet që na janë dhënë dhe besoj që tashmë është e faktuar që këto detyra jemi duke i plotësuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Sveçla.

Deputeti Bekë Berisha, kryertar i Komisionit, e pyeti ministrin se a do të ketë shtesa dhe përfitime të tjera të qëndrueshme për policët.

“Duke pasur parasysh se çfarë fqinji verior kemi, emergjencat nuk do të kryhen shpejt. Aspiratat e Serbisë vetëm se po vazhdojnë, por edhe aktivitetet e tyre konkrete po vazhdojnë në minimin e shtetit të Kosovës. Nuk pres që këto do të kryhen shpejt”, tha fillimisht Sveçla.

“Në aspektin e privilegjeve, pres që situata jo të përmirësohet, por të ngrihet. Jemi duke hyrë në procesin e përcaktimit të ekspertizës te policët, duke qenë se ka policisë që kanë ekspertizë të veçantë e të cilët duhet të klasifikohen më ndryshe se që janë klasifikuar deri tani. Për ata që nuk i dinë dallimet në PK, zakonisht kanë qenë mes gradave dhe njësiteve, ne do të kalojmë në një diferencim tjetër pozitiv ku dallimi do të bëhet në bazë të ekspertizës. Jo të gjithë policët me të njëjtën gradë kanë ekspertizë apo kualifikim të njëjtë, dhe kjo duhet të kihet parasysh”, deklaroi Sveçla.

Exit mobile version