Site icon PrishtinaPress

Sveçla: Institucionet e Serbisë janë të interesuar të destabilizojnë pjesë të vendit ku jeton komuniteti serb në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se institucionet e Serbisë janë të interesuara ta destabilizojnë sërish komunitetin serb në Kosovë.Sveçla ka thënë se Serbia po përpiqet t’i mbrojë “kriminelët të cilët kryejnë akte edhe terroriste”, derisa përmendi Milovan Bozoviqin, që u arrestua të shtunën në pjesën veriore të Kosovës.

“Institucionet e Serbisë, krerët e tyre, janë të interesuar sërish të destabilizojnë pjesë të vendit ku jeton komuniteti serb në Kosovë. Kështu ka bërë historikisht. Ata vazhdojnë të mbrojnë dhe glorifikojnë kriminelë të cilët kryejnë akte edhe terroriste në Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla.Përmes një shkrimi në Facebook Sveçla tha se pos për plagosje të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, dëmtimit të infrastrukturës kritike, kalimit ilegal të kufirit, haraçit e zjarrëvënies, Bozoviq ka marrë pjesë edhe në sulmet ndaj pronave të zyrtarëve serbë të FSK-së si dhe dyshohet për vrasjen e një pjesëtari të EULEX-it.

“Milovan Bozovic është një i tillë. Figurë e njohur për institucionet e sigurisë, si kriminel, pjesëtar aktiv i strukturës ilegale “Mbrojtja Civile” dhe grupeve të tjera kriminale. I njëjti po konsiderohet si hero për strukturat e Serbisë që e kanë dirigjuar. Për shkathtësitë e treguara në veprime kriminale ai është edhe ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Milan Radoiçiq. Përveç djegies së veturave në veri, plagosjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dëmtimit të infrastrukturës sonë kritike, kalimit ilegal të kufirit, rrahjeve të qytetarëve serbë, haraçit dhe zjarrvënies së bizneseve lokale, ai ka marrë pjesë edhe në sulmet ndaj shtëpive dhe pronave të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe dyshohet për vrasjen e një pjesëtari të EULEX”, ka shkruar ministri Sveçla.Më tej, ai kritikoi institucionet shtetërore të Serbisë si dhe Listën Serbe për mosdistancim e dënim të veprimtarisë së Bozoviqit.

“Çdo qenie njerëzore, jo thjesht zyrtarë publik apo politik, do të ishte distancuar e do të dënonte këto veprimtari për të cilat akuzohet Bozovic. Por jo dhe krerët e institucioneve të Serbisë dhe ata të Listës Serbe. Madje, duket se arrestimi dhe dërgimi i tij para drejtësisë ka lëkundur themelet e Listës Serbe dhe zyrës së ashtuquajtur për Kosovë. Siç u pa dje, ata po përdorin gjuhë kërcënuese publikisht. Madje, thërrasin për kryengritje dhe mosbindje për shkak të arrestimit të një recidivisti kriminal. Mbrëmë pas këtyre thirrjeve janë sulmuar pjesëtarët e policisë sonë me shok bomba në Mitrovicë të Veriut”, ka shtuar ai.Kujtojmë se zyrtarë policorë janë sulmuar të dielën në veri me shok-bombë.

Siç është njoftuar nga Policia rreth orës 2:20 të mëngjesit, në rrugën “Ivo Llola Ribar” te Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve, është hedhur një mjet shpërthyes në drejtim të zyrtarëve policorë që ndodheshin atje.

Exit mobile version