Site icon PrishtinaPress

Sveçla godet opozitën: Serbisë s’po i leverdis puna jonë, eksponentë politikë në Kosovë po i bëhen zëdhënës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një deklaratë që ka dhënë sot lidhur me zgjedhjet që po mbahen në katër komunat veriore, ka thënë se janë të vendosur që veriun ta bëjnë “pjesë të zakonshme” të shtetit.

Ai tha se kjo i pengon Serbisë, ndërsa në këtë pikë e sulmoi opozitën. Sipas tij, disa “eksponentë të caktuar” në skenën politike vendore po i bëhen zëdhënës Beogradit.

“Ne jemi më të vendosur që veriun e Kosovës ta bëjmë pjesë të zakonshme -si të gjitha të tjerat – të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla në një lidhje direkte në televizionin publik.

“Dikujt, sidomos Beogradit, kjo nuk i leverdis. Kjo është në kundërshtim me planet e tyre”, shtoi ai.

“Është me të vërtetë shumë gjë e keqe, është e dhimbshme se si eksponentë të caktuar në skenën politike të Republikës së Kosovës i bëhen zëdhënës kësaj qasjeje”, tha Sveçla.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se, deri në orën 11:00, kanë votuar 313 qytetarë nga mbi 45.000 sa kanë të drejtë vote në komunat në veri të Kosovës.

Zgjedhjet lokale po mbahen në katër komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq./PrishtinaPress/

Exit mobile version