Site icon PrishtinaPress

Sveçla flet në BBC për sulmin terrorist kundër Kosovës, thotë se ka një rrugë për kthim në tavolinën e negocimeve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar detajet se si ka ndodhur sulmi i së dielës në Banjskë ku u vra një polic i Kosovës dhe u plagosen tre të tjerë.

Ai ka thënë se një patrullë e Policisë derisa po kryente detyrën e saj mëngjesin e së dielës është sulmuar.

Sipas tij, policët atë natë po kryenin patrullat e tyre të zakonshme.

“Nga ky sulm një nga policët fatkeqësisht ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. Pas kësaj ne kemi dërguar forca të tjera, edhe për ta tërhequr policin e plagosur. Ne kemi parë dy kamionë të cilët kishin bllokuar rrugën dhe pastaj kanë vazhduar të sulmojnë gjatë gjithë ditës”, ka thënë ai në një intervistë për BBC.

Sveçla ka thënë se ka një rrugë për kthim në tavolinën e negocimeve.

Por ka shtuar se ajo çfarë duan është që të gjithë të ndihen të sigurt.

“Ne sigurojmë rend dhe ligj për të gjithë qytetarët e vendit, pavarësisht etnive. Fatkeqësisht Serbia mendon që duke organizuar sulme terroriste mund ta ndryshojë situatën në terren, çka nënkupton se mund ta vendosë këtë nën tavolinën e bisedimeve”, ka thënë ai.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës në Banjskë të Zveçanit nga sulmues serbë është vrarë një polic e janë plagosur tre, një prej tyre me armë zjarri. Të vdekur kanë mbetur edhe tre sulmues serbë. Aktualisht gjashtë persona janë arrestuar, njërit prej tyre i është caktuar paraburgimi prej një muaji.

Exit mobile version