Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat, por nuk janë të rralla kur viktima janë djemtë apo burrat. E për njërast të dhunës në familje, së fundmi është arrestuar një zyrtar i Policisë.
Sipas informacioneve të para, një polic ka përfunduar në prangat e Policisë pasditen e djeshme në Graçanicë, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë në familje.
Lajmi është konfirmuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se zyrtari policor tashmë është suspenduar.
Me vendim të prokurorit, zyrtarit policor është ndaluar me 48-orë.
“Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, thuhet mes tjerash në njoftimin e IPK-së.