Burim Buleshkaj, ushtrues detyre i Drejtorit të Burgut të Sigurisë të Lartë, është suspenduar nga puna.
Lajmin për suspendimin e Buleshkajt, e ka konfirmuar për Telegrafin, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Nehat Thaqi.
Thaqi ka thënë se deri tek suspendimi i Buleshkajt ka ardhur pas publikimit të një fotografie në media, ku shihet se nuk ka respektuar masat e distancës.
Thaqi gjithashtu ka theksuar se është ngritur komision hetimor lidhur me këtë çështje.
“Po është suspenduar, suspendimi i tij ka ardhur pas publikimit të një fotografie në media ku shihet se personi në fjalë nuk ka respektuar masat e distancës. Suspendimi i tij do të zgjasë deri në vendimin që do të marrë komisioni hetimor i cili është ngritur për ta trajtuar këtë çështje”, ka thënë Thaqi.
Drejtori Buleshkaj është pezulluar nga puna për shkak që i njëjti ka shkelur masat e vendosura nga organet e rendit dhe Qeveria e Kosovës për anulimin dhe mospmarrjen pjesë në ahengje apo aktivitete të ndryshme në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë COVID-19.
Në një aktivitet që dyshohet se ka ndodhur të shtunën, Burim Buleshkaj nën shoqërinë e vëllait të Presidentit Hashim Thaçi, Shefit të Njësive Speciale Amir Gërguri dhe disa personave të tjerë është parë në një fotografi.