4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Supremja refuzon kërkesën e Todosijeviqit për përjashtimin e gjyqtarëve

Është refuzuar kërkesa e ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, për përjashtimin e kolegjit të Gjykatës së Apelit në rastin e tij.

Ai ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë, pasi ishte shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lajmin për refuzimin e kërkesës në fjalë, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.

Ivan Todosijeviq përmes mbrojtësit të tij, avokatit Nebojsha Vlajiq, në prill të këtij viti kishte kërkuar përjashtimin e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, përkatësisht përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve shqiptar.

Në këto rrethana, seanca e paraparë të mbahej në Gjykatën e Apelit me 28 prill 2021 ishte shtyrë, derisa kryetari i kësaj gjykate të vendoste për kërkesën në fjalë, e cila tashmë është refuzuar.

Lidhur me ecurinë e procedurës deri në refuzimin e kësaj kërkese nga ana e kryetarit të Apelit dhe kërkesave tjera të mbrojtjes së Todosijeviq, “Betimi për Drejtësi” është informuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zëdhënësja e kësaj gjykate, Antigona Uka ka bërë të ditur se mbrojtësi i të pandehurit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve të kolegjit.

“Për shkak se në aktgjykimin e kundërshtuar me ankesë është konstatuar se i pandehuri ka dëmtuar ndjenjat e tërë popullit shqiptar, e meqë të gjithë janë shqiptar në kolegj, edhe gjyqtaret janë të dëmtuar, ( sipas kodit është përcaktuar se kur një gjyqtar është i dëmtuar ai s’mund ta gjykojë atë çështje)”, thuhet të ketë qenë arsyetimi i mbrojtësit të Todosojeviq.

Tutje, në këtë përgjigje thuhet se për shkak se lidhur me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarëve duhet të vendos kryetari i Gjykatës së Apelit, i cili është i nacionalitet shqiptar, mbrojtësi ka kërkuar edhe përjashtimin e tij dhe të kryetarit të Gjykatës Supreme, i cili vendos lidhur me përjashtimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit.

“Ndaj, për kërkesën e pranuar ne Gjykate Supreme lidhur me përjashtimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Kolegji i kryesuar nga nënkryetarja e Gjykatës Supreme, në seancën e kolegjit të mbajtur më 2 qershor 2021, me aktvendimin PN.II.nr.8/2021 e ka hedhur këtë kërkesë si te papranueshme”, thuhet tutje në përgjigje.

Zëdhënësja Uka ka bërë të ditur se pas këtij vendimi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, me aktvendimin GJA.nr.117/2021, e ka hedhur si te papranueshme kërkesën e mbrojtësit të pandehurit, avokatit Nebojša Vlajić, për përjashtimin e Kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Seanca në Gjykatë të Apelit për këtë rast pritet të mbahet me 24 qershor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Sipas akuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se ““Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi, për të cilat deri në ditën e sotme, askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Fushatën e tyre të përgjakshme e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, thuhet në aktakuzën ndaj Todosijeviqit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img