1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Supremja e Speciales e kthen në Apel çështjen e Salih Mustafës

Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka anuluar pjesën e aktgjykimit të Apelit që ka të bëjë me dënimin prej 22 vjetësh burgim ndaj Salih Mustafës.

Me këtë rast, Supremja e ka kthyer përsëri këtë çështje tek Apeli për t’u shqyrtuar ulja e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Supremes.

“Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e tij dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të apelit që ka të bëjë me dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burg. Paneli i Gjykatës Supreme ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit në përputhje me rregullën 194 (1) (b) të Rregullores, për të shqyrtuar uljen e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin ai është dënuar me 26 vjet burgim. Ndaj këtij vendimi ai kishte paraqitur ankesë në Apel, kurse Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vjet burgim për krime lufte.

Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 prill 2024.

“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, i cili e dënoi me 22 vjet burgim.

Te pika e parë e paraqitur në kërkesën e Mustafës, thuhet se është bërë shkelje ligjore dhe kushtetuese. Mustafa ka rikujtuar se Apeli iu është drejtuar argumenteve të tij lidhur me parimet lex mitior, që do të thotë se nëse ka ndryshuar ligji që ka të bëjë me veprën penale të të akuzuarit duhet të zbatohet ligji më pak i rëndë. Sipas Mustafës, lex mitior i Apelit është i kufizuar dhe i gabuar.

Ashtu si në pikën e parë, edhe në pikën dy dhe tre, Mustafa ka parashtruar se vendimi i Apelit ka pasur shkelje të Ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërsa, në pikën katër, në kërkesë thuhet se Mustafa ka theksuar se deklarohet i pafajshëm në të gjitha pikat dhe këtë qëndrim e mban edhe sot. Tutje, thuhet se edhe pse shkalla e parë dhe e dytë e dënuan për arrest arbitrar, torturë dhe vrasje, në lidhje me këtë të fundit Mustafa ka pohuar se nuk ishte gjykuar siç duhet në rastin e tij.

Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme, Mustafa ka thënë se shkalla e parë dhe e dytë e gjykatës e kanë interpretuar vetëm në mënyrë teorike krimin e vrasjes që më pas e dënuan për atë.

Mustafa ka pohuar se të dy aktgjykimet përfshijnë shkelje thelbësore të rregullave dhe nuk mund të përbëjnë vrasje siç është në bazë të nenit 14 të Ligjit.

“Trupi gjykues arriti në përfundimin se Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-s ishin përgjegjës kryesor për keqtrajtim të rëndë dhe refuzim të ndihmës mjekësore, që çoi në vdekjen e viktimës. Megjithatë, sa i përket vrimave të plumbave në trupin e viktimës, kishte paqartësi nëse ato ishin shkaktuar nga pjesëtarë të BIA-s apo nga forcat serbe. Duke zbatuar parimin ‘in dubio pro reo’ (favorizimi i të akuzuarit në rast dyshimi), trupi gjykues supozoi se forcat serbe qëlluan viktimën. Përkundër këtij supozimi, Apeli sugjeron që trupi gjykues duhet të kishte marrë parasysh nëse ndërhyrja e forcave serbe përbënte një veprim të palës së tretë që thyente zinxhirin e shkakësisë, siç u ngrit në apel”, thuhet ndër tjerash në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Mustafës në Supreme.

Ndërsa, në pikën e pestë, Mustafa ka pretenduar se ka shkelje të të drejtave të tij të cilat ia garanton Kushtetuta. Sipas tij, që kur ishte shpallur aktgjykimi i Apelit ndaj tij, drafti i përkthyer në gjuhën e të akuzuarit ishte i disponueshem nga data 12 shkurt 2024.

Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa ka thënë se mungesa e gjykimit në gjuhën e tij në një fazë të hershme cenon të drejtat pasurore dhe kohën për përgatitjen e mbrojtjes së tij. Aty thuhet se kjo situatë u komplikua edhe më shumë nga fakti që vendimi për emërimin e një mbrojtësi të ri të tij ishte anuluar. Sipas tij, kjo ishte konfuze dhe dëmtoi aftësinë e tij për t’u përgatitur siç duhet për mbrojtjen e tij.

Në këtë kërkesë, Mustafa ka pohuar se ka të drejtë të informohet për aktgjykimin ndaj tij në një gjuhë që ai e kupton dhe kjo gjë duhet të bëhet në kohën e duhur e që për rrjedhojë ai pretendon se janë shkelur të drejtat e tij.

Ndryshe, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave.

Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.  Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

Ndërsa, prokurorja e specializuar, Kimberly West e quajti ‘fitore për drejtësinë’ vendimin e Apelit ndaj Salih Mustafës. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img