Ismaili ka prezantuar të gjithë kronologjinë me faksimile të shumta dhe ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj afere në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Fjalimi i plotë i Uran Ismailit:
Siç e dini, javën e kaluar janë publikuar video, ku qartësisht shihen disa persona – pjesë e një grupi kriminal – të cilët janë incizuar duke kryer vepra penale, të dënueshme sipas ligjit.
Këta mashtrues shihen duke keqpërdorur edhe emrin e Kryetarit Kadri Veseli dhe duke manipuluar në mënyrë të ulët për përfitime personale.
Kryetari Veseli përpos denoncimit publik, ka bërë edhe kallëzim penal ndaj tyre, si dhe ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të veprojnë dhe ta kryejnë detyrën e tyre.
Sot, jemi këtu, që prapë të theksojmë se Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e rendit dhe ligjit që të reagojnë sa më shpejtë ndaj asaj që shihet qartazi se është krim dhe korrupsion.
Duhet të zbulohet dhe dënohet, sa më parë, krimi të cilin e kemi parë të gjithë në videot e publikuara: krimi i mashtrimit, krimi i korrupsionit, por edhe krimi i mbulimit të këtij rasti dhe lënia e kriminelëve në liri.
Të gjitha këto janë të rëndësishme që të hetohen, zbulohen dhe dënohen, në mënyrë që lufta jonë kundër krimit dhe korrupsionit të ketë rezultate, e jo fjalë.
Ajo çfarë ne dhe të gjithë qytetarët kanë parë në këto video – është veç një skenë e një skenari më të madh korruptiv, e që ka të bëjë me ndërtimin dhe licencimin e një spitali privat në Prishtinë.
Në mënyrë që të kemi transparencë sa më të madhe, për të ndikuar në zbulimin e këtij skenari korruptiv, si dhe për ta ndriçuar edhe më shumë këtë rast, gjithmonë në funksion të së vërtetës dhe luftës kundër krimit e korrupsionit, do të paraqesim këtu si provë edhe dokumentet zyrtare – të cilat dëshmojnë pa mëdyshje ekzistencën e një skeme korruptive.
“Afera Spitali” është një proces i gjatë, i cili ka filluar në vitin 2003, kur edhe është caktuar lokacioni për ndërtimin e këtij spitali privat në Prishtinë – për të cilin edhe janë bërë mashtrimet që kemi parë në video.
Leja është dhënë nga Komuna e Prishtinës dhe është nënshkruar nga Kryetari i saj, që asokohe ishte Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Më pastaj, në vitin 2005 është ndryshuar lokacioni duke ju dhënë në shfrytëzim prona në kampusin e QKUK-së nëpërmjet një marrëveshje të nënshkruar nga Sami Hamiti, në atë kryeshef ekzekutiv i Komunës së Prishtinës.
Në vitin 2006, Komuna e jep lejen urbanistike dhe në vitin 2007 aktvendimin për fillimin e ndërtimit të spitalit privat në kompleksin e QKUK-së.
Partia Demokratike e Kosovës, në këtë kohë, përmes Kuvendit Komunal në Prishtinë, kishte kundërshtuar ashpër këtë vendim, duke konsideruar se po lejohej veprimi i një spitali privat në afërsi të QKUK-së dhe kështu po dëmtohej institucioni më i rëndësishëm shëndetësor në Kosovë.
Edhe përkundër këtij kundërshtimi, Komuna e Prishtinës dha pëlqimin e saj që ky spital të fillonte të ndërtohej.
Ky vendim konsiderohej i gabuar edhe nga punëtorët shëndetësorë dhe pas protestave të tyre, në vitin 2007, Kryeministri i atëhershëm Agim Çeku kishte marrë vendim që të pushonin punimet e këtij spitali dhe kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që ta ndryshonte vendimin.
Në vitin 2008, disa ditë para ndërrimit të Qeverisë, është bërë edhe përpjekja e fundit nga LDK, duke vendosur që të mbetet në fuqi vendimi i nënshkruar nga Ismet Beqiri dhe duke i dhënë mundësi krijimit të “Aferës Spitali” dhe anashkalimit të vendimit të kryeministrit të atëhershëm Agim Çeku.
Nga viti 2008 deri në vitin 2014, edhe pse janë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta licencuar këtë spital, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka udhëhequr Qeverinë, ka refuzuar licencimin e këtij spitali, sepse ka qenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Licencimi i këtij spitali do të rishfaqet në vitin 2015, kur drejtimin e Qeverisë së Kosovës e merr LDK, me Kryeministër Isa Mustafën.
Legjislacioni në fuqi në atë kohë theksonte qartë se objektet spitalore private duhet të jenë në largësi së paku 1.5 kilometra nga spitalet publike.
Por në vitin 2015 ndryshohet legjislacioni, dhe largohet ky kritere, duke dhënë mundësinë që njëherë e përgjithmonë të vendoset spitali privat në oborrin e QKUK-së, projekt i nisur në Komunën e Prishtinës, në vitin 2003.
Fakti se leja dhe licencimi për këtë spital nuk janë dhënë në periudhën kur PDK ishte në pushtet, e tregon më së miri.