Site icon PrishtinaPress

Sulmi terrorist në kafiterinë “Panda” në Pejë, Kurti: Serbia mohon gjenocidin në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sulmin terrorist të Serbisë në kafiterinë “Panda” në Pejë, që ndodhi 26-vjet më parë.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se më 14 dhjetor 1998, shërbimet serbe ekzekutuan të gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore.

“Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin në Kosovë. Pas këtij sulmi, forcat serbe arrestuan më shumë se 150 shqiptarë në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan dhe torturuan në mënyra ҫnjerëzore edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishte 22, ndërsa më i riu 17 vjeç. Gjashtë të rinjtë shqiptarë, në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të pafajshëm”, tha Kurti.

Ndër tjera, ai shtoi se 26 vjet pas, shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serb.

“Serbia mohon gjenocidin në Kosovë, mohon gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë, mohon masakrën në Srebrenicë, edhe masakrën në Reçak. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë janë të domosdoshme”, ka thënë Kurti. 

Exit mobile version