Site icon PrishtinaPress

Sulmi në Magdeburg, Ambasada e Kosovës në Gjermani publikon numrin kontaktues për kosovarët që kanë nevojë për ndihmë

Një sulm i tmerrshëm ka ndodhur të premten në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg, Gjermani, duke lënë të vdekur dy persona.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ambasada e Kosovës në Gjermani, ku ka publikuar numrat kontaktues për të gjithë shqiptarët që kanë nevojë për ndonjë ndihmë.

“Pas sulmit të tmerrshëm që ndodhi para pak orësh në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse gjermane dhe pjesëtare të mërgatës tonë në Magdeburg dhe në Sachsen-Anhalt. Lusim të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, të cilët kanë nevojë për ndihmë, që të kontaktojnë në numrin emergjent të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin: +49 179 3670536”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, ambasada shton se “në këto momente të vështira, qëndrojmë krah për krah me miqtë tanë gjermanë”.

Ndryshe, një veturë me shpejtësi të madhe ka shkelur njerëzit e pranishëm në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg, Gjermani.

Policia ka arrestuar një burrë 50-vjeçar, i cili u tha se ishte mjek nga Arabia Saudite dhe kishte ardhur në shtetin gjerman në vitin 2006.

Tragjedia ndodhi në kryeqytetin e landit Saksoni-Anhalt pak pas orës 19:00, dhe pamje të paverifikuara duket se tregojnë një veturë të zezë që përplaset me njerëzit në treg.

Kryeministri i landit, Reiner Haseloff, tha se 68 persona janë plagosur, nga të cilët 15 janë në gjendje të rëndë.

Mesazhe mbështetjeje dhe ngushëllimi kanë ardhur nga mbarë bota pas sulmit, duke përfshirë edhe Kosovën.

Exit mobile version