Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas dhunës fizike dhe verbale që është ushtruar ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari, duke e cilësuar këtë si një akt të papranueshëm dhe të patolerueshëm në shoqërinë tonë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Osmani ka theksuar se sporti duhet të shërbejë si urë lidhëse mes njerëzve, e jo si mur ndarës.
“Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan! Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë“, ka shkruar Presidentja.
Në reagimin e saj, ajo ka theksuar se çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt dhe i respektuar, pavarësisht prejardhjes apo identitetit të tij.
Reagimi i plotë:
Presidentja Osmani dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari: Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë
Reagimi i plotë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani:
Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan!
Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë.
Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti.
Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t’i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje.
Kosova është vend i lirë e demokratik. Dhuna dhe urrejtja nuk do të kenë vend në fushat tona të sportit, as në shoqërinë tonë. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenon dinjitetin dhe sigurinë e të rinjve tanë.
Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!