Site icon PrishtinaPress

Sulmi me thikë mes dy “baxhanakëve” kosovarë në Zvicër përfundon në Gjykatë, si kishte ndodhur rasti

Prokuroria kërkon 5.5 vjet burg për të akuzuarin dhe dhjetë vjet dëbim nga vendi për kosovarin 46 vjeçar që ka sulmuar me thikë kunatin e tij

Një kosovar 46-vjeçar është përgjigjur para gjykatës së shkallës së parë për shkak të një mosmarrëveshjeje që ka përfunduar me plagosje të shkaktuar me thikë. Mirëpo, ai thotë se është viktima në këtë histri ndërsa paditësi, sipas tij është autori.

Problemi ka nisur me një defekt të telefonit mobil dhe ka përfunduar me një kallëzim penal, ndër të tjera për tentimvrasje.

Prokuroria publike e akuzon 46 vjeçarin se ka sulmuar baxhanakun (kunatin) e tij me thikë xhepi dhe i ka shkaktuar disa plagë dhe prerje në bark, krah dhe shpinë. Por, nëse i besohet versionit të të dyshuarit, ai është vetë viktima – dhe plagët me thikë janë vetëm një rezultat fatkeq i vetëmbrojtjes së tij.

Përshkrimet e dy burrave janë diametralisht të kundërta; vetëm rreth arsyes së takimit, që ka ndodhur tre vjet më parë është e njëjtë, në të dy versionet, trasnmeton albinfo.ch. Për shkak se i akuzuari kishte problem me celularin, ai i kishte kërkuar ndihmë kunatit të tij, (tashmë paditës privat) 40-vjeçarit kosovar dhe i kishte shkuar për vizitë.

Burrat, gratë e të cilëve janë motra, banojnë në të njëjtën komunë dhe njihen prej më shumë se 20 vitesh, shkruan Luzerner Zeitung. Pasi e kishin zgjidhur problemin e celularit, të dy ishin larguan nga shtëpia së bashku – dhe rrëfimet e tyre nga ky moment kanë ndryshuar plotësisht

I pyetur në seancë, paditësi thotë se i akuzuari ka nxjerrë befasisht një thikë xhepi dhe ka thënë se do ta vriste. Pastaj ai ka tentuar ta godiste me thikë 20 deri në 30 herë. Në momentin që paditësi ka tentuar të mbrohet, ka ndodhur përleshja dhe të dy kanë rënë përtokë, ndërsa i akuzuari ka thyer krahun.

I akuzuari, nga ana tjetër, dëshmon nëpërmjet përkthyesit se paditësi e kishte sulmuar papritur dhe e kishte goditur aq fort me grusht në mjekër, saqë ai qe rrëzuar përtokë, nuk mund të shihte më asgjë dhe kishte ndjerë vetëm goditjet që kishin pasuar, përcjell albinfo.ch. Kur kishte dashur të ngrihej sërish, kishte vënë re se i ishte thyer krahu.

Paditësi, sipas tij, i ka ofruar 10 mijë franga për heshtje – diçka të tillë mësohet se e ka bërë edhe më parë me një koleg pune, por paditësi e hedh poshtë këtë akuzë.

Me kushtin që të pranonte ofertën, ai kishte ikuur dhe donte të thërriste policinë. Më pas paditësi e kishte sulmuar atë sërish, i kishte kapur me dorë jakën dhe e kishte shtrënguar pas një peme ose një shkurre. Me shpresën se do të mund ta frikësonte, i akuzuari kishte nxjerrë thikën nga xhepi dhe e kishte hapur. Gjatë përleshjes ata janë rrëzuar disa herë, ku një herë paditësi ka rënë me shpinë mbi tehun e hapur të thikës.

“Njeri i dorës së dytë” sepse kujdeset për fëmijët e tij

Paditësi ka shprehur vazhdimisht moskuptimin e tij gjatë marrjes në pyetje; ai ka theksuar se nuk mund të shpjegonte se çfarë kishte ndodhur në kokën e kunatit të tij atë mbrëmje.

I pyetur për situatën familjare, paditësi ka thënë se kunati i tij nuk e kishte pëlqyer kurrë. Dhe se prirja e tij për të treguar thashetheme është e njohur për të gjithë familjen, transmeton albinfo.ch. Por i akuzuari, nga ana e tij ka thënë se ata gjithmonë kanë pasur marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Ai beson se vjehrri e ka nxitur paditësin që ta sulmojë duke i thënë se i akuzuari kishte folur keq për paditësin.

Avokati mbrojtës tregon se klienti i tij ka qenë kryesisht person shtëpiak dhe që nga lindja e fëmijëve për të cilët është kujdesur në vazhdimësi prandaj familja e gruas së tij ndoshta e shihte atë si “burrë të dorës së dytë”.

Meqë nuk ka dëshmitarë të ngjarjes, është ende e paqartë se kujt do t’i besojnë gjyqtarët përfundimisht. Aktgjykimi do t’u komunikohet palëve me shkrim. Prokuroria kërkon 5.5 vjet burg për të akuzuarin dhe dhjetë vjet dëbim nga vendi.

Exit mobile version