Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas djegies së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok.
Kurti ka thënë se djegia e këtij objekti ishte e qëllimshme dhe se qartazi ato po i nxit e mbështet Serbia.
“Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje”, shkruan kryeministri.
Tutje, ai tha se Serbia po i përdorë qytetarët e Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
“Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar. Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë”, shkruan Kurti.
Postimi i plotë:
Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme.
Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen.
Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë.
U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.