1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Sulmet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së, me prapavijë politike

Sulmet ndaj pronave të pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, të cilët janë pjesë e komunitetit serb, kanë prapavijë politike dhe janë formë e presionit mbi këtë komunitet për të penguar integrimin e mëtejshëm të tyre në këto institucione të sigurisë, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohës të aspekteve të sigurisë.

Sulmi i fundit mbi pronën e një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovë, është shënuar ditën e hënë në fshatin Zupç të Komunës së Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi një pjesëtari të kësaj force, i cili vjen nga komuniteti serb, i është djegur vetura.

Halil Matoshi nga kabineti i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se sulmi ndaj pjesëtarit serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës është sulm mbi demokracinë dhe lirinë e Kosovës, si dhe mbi realitetin shumetnik dhe shumëllojshmërinë kulturore dhe politike të Kosovës.

“Këto sulme janë të papranueshme dhe së këndejmi Qeveria e Kosovës i fton të gjithë që të përmbahen nga sulmet e tilla, sepse Republika e Kosovës është shtet, i cili ofron siguri për të gjithë. Për këtë fakt, praktikisht, të gjithë mund të jenë pjesë e mekanizmave të sigurisë së vendit tonë”, tha Matoshi.

Në fund të muajit shkurt të këtij viti ka pasur kërcënime kundër disa pjesëtarëve serbë të FSK-së. Ata janë kërcënuar me anë të disa pamfleteve të shpërndara në Zubin Potok. Në dy raste të tjera të ndara, dy pjesëtarë serbë të FSK-së, janë ndaluar nga autoritetet e sigurisë të Serbisë, derisa ata po udhëtonin për vizitë në këtë shtet.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se sulmet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së, por edhe ndalimi i tyre dhe i pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe të sigurisë dhe inteligjencës, kur ata udhëtojnë për vizita familjare në Serbi, tashmë janë shpeshtuar.

“Mendoj që kjo është e përgatitur mirë nga Qeveria Serbe dhe e gjitha është me qëllimin e vetëm që të pengojë integrimin e serbëve në këto struktura, në Policinë e Kosovës e sidomos në FSK. Kjo na bën me dije se ata me çdo kusht duan të pengojnë këtë integrim”, theksoi Ibishi.

Ibishi shtoi se të gjitha këto po ndodhë në kohën kur është shtuar interesimi i pjesëtarëve të komunitetit serb që të jenë pjesë e FSK-së, por edhe e Policisë së Kosovës. Sipas tij, reagimi i institucioneve të Kosovës nuk ka qenë mjaft efikas deri më tash.

Por, Matoshi thekson se çështja e sulmeve ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së dhe të strukturave tjera të sigurisë në Kosovë, tashmë është ngritur nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës në takimet me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ai ka theksuar se sulmet e tilla, të cilat ende pritet të zbardhen, por edhe siç e quan ai, presioni nga autoritetet serbe ndaj pjesëtarëve serbë të strukturave të sigurisë së Kosovës, kanë prapavijë tërësisht politike.

“Sigurisht që disa qarqeve nuk iu konvenon një forcë shumetnike, një forcë paqësore, një forcë, e cila ndërtohet mbi bazat e profesionalizmit të NATO-s dhe mbi të gjitha, një forcë, e cila e përfaqëson praktikisht realitetin e Kosovës sot”, u shpreh Matoshi.

Edhe Ibishi, thekson se qëllimi parësor i autoriteteve të Serbisë është pengimi i integrimit të pjesëtarëve të komunitetit serb në strukturat e sigurisë së Kosovës.

“Mendoj se kjo shkon edhe pak më larg. Nga ky aspekt mund të ketë paralajmërime jo të mira edhe për të ardhmen”, tha ai.

Sidoqoftë, rreth 10 për qind e Forcës së Sigurisë së Kosovës përbëhet nga pjesëtarët e komuniteteve pakicë në Kosovë. Rreth 2 për qind e kësaj force, përbëhet nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img