Site icon PrishtinaPress

Sulme të reja ruse me dronë kamikazë në Kiev

Forcat e armatosura ruse kanë shënjestruar sërish infrastrukturën kryesore ukrainase, kryesisht me UAV kamikazë, në orët e para të ditës së sotme në Kiev dhe rrethinat e kryeqytetit, njoftojnë zyrtarët ukrainas.

Sulmet ndaj Kievit vazhdojnë për të dytën natë radhazi, pas lëshimit të raketave dhe dronëve kamikaze në natën e Vitit të Ri dhe dje. Sulmet ajrore ruse kanë dëmtuar infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje në energjisë elektrike, njoftoi sot kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

Ka shumë trazira në rajon dhe në kryeqytet: sulme me dronë gjatë natës,” tha përmes Telegram guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kuleba.

“Rusët dërguan disa Shaheds,” vazhdoi komandanti, duke iu referuar Shahed-136 të prodhuar nga Irani.

“Infrastrukturat kritike ishin në shënjestër. Mbrojtja kundërajrore është në punë”, shtoi ai.

“Qëndroni në strehimore!“, këshillon Serhii Popko, kreu i komandës ushtarake rajonale .

Sipas administratës ushtarake të qytetit, që nga ora 03:00 (ora lokale), mbrojtja ajrore ka shkatërruar 16 objektiva në hapësirën ajrore të Kievit.

Sirenat e mbrojtjes ajrore bërtisnin për më shumë se tre orë.

Më parë, mbetjet nga një UAV i përgjuar ranë në një lagje verilindore, duke plagosur një 19-vjeçar, njoftoi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

I plagosuri u dërgua në një spital në lagjen Desnianski , sqaroi Klitschko përmes Telegramit, duke shpjeguar se mbetjet ranë në një rrugë dhe shkaktuan dëme në një ndërtesë.

Kirylo Tymoshenko , këshilltar i presidencës ukrainase, foli gjithashtu për dëmtimin e një ndërtese përmes së njëjtës platforme.

Desnyansky, në bregun e majtë të lumit Dnieper, është më i populluari i kryeqytetit ukrainas. Ushtria ukrainase njoftoi gjithashtu se në pjesën lindore të vendit, nëntë UAV u shkatërruan gjithashtu në rajonet Dnipropetrovsk dhe Zaporizhia.

Sulmet ajrore të djeshme vranë katër persona në shtatë zona të tjera të vendit.

Nga ana pro-ruse, autoritetet separatiste në rajonet lindore raportuan dje një vdekje civile nga bombardimet nga ushtria ukrainase në Yasinuvata, Donetsk.

Ata gjithashtu raportuan se qyteti i Donetsk dhe Makiivka u bombarduan, duke lënë të plagosur të paktën 15 persona. Lufta në Ukrainë është në muajin e saj të njëmbëdhjetë dhe nuk ka asnjë shenjë se asaj po i vjen fundi.

/abcnews.al/

Exit mobile version