Suedezi Lars-Gunnar Wigemark emërohet shef i ri i EULEX-it

57
Advertisement

Diplomati suedez, Lars-Gunnar Wigemark emërohet shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, me një mandat që zgjat deri më 14 qershor 2020.

Advertisement

Ai e pason ambasadoren Alexandra Papadopoulou, një diplomate greke e cila e përfundoi detyrën e saj si shefe e EULEX-it në korrik të vitit të kaluar.

“Me padurim po e pres këtë emërim të ri dhe sfidues. Unë do të angazhohem ashtu që EULEX-i të vazhdojë të jetë partner i besueshëm për partnerët dhe miqtë e tij kosovarë, duke u ofruar kolegëve tanë të kamotshëm të sundimit të ligjit ndihmë konkrete, me kohë dhe të dobishme ashtu që ata të vazhdojnë të bëhen më të fuqishëm dhe më të zotë për ta vazhduar rrugëtimin e tyre në drejtimin evropian”, tha Wigemark.

Lars-Gunnar Wigemark është diplomat suedez. Ai ka shërbyer si shef i Delegacionit të BE-së në Bosnje e Hercegovinë dhe Përfaqësues Special i BE-së në Bosnje e Hercegovinë deri në gusht 2019. Para kësaj ai ishte ambasador i BE-së në Pakistan.

Në njoftim thuhet se si shef i ri i EULEX Kosova, Wigemark do ta drejtojë mbështetjen e këtij Misioni për institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me praktikat më të mira të BE-së.

Sot, Lars-Gunnar Wigemark e pati rastin t’i takojë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në takimin e rregullt të Shefave të Misioneve të BE-së të kryesuar nga Përfaqësuesja Speciale e BE-së, si dhe do t’i mbajë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Kosovës dhe ndërkombëtarë dhe partnerë të EULEX-it në institucionet e sundimit të ligjit. /Telegrafi/

PostAdssFotoja e reklamës