Qeveria e Kosovës, në fund të muajit nëntor dha një lajm shumë të mirë për studentët. Ajo, ekzekutoi nga 100 euro për studentët në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin. Njoftimin e kishte bërë ministri i Financave, Hekuran Murati i cili dha lajmin se 50 mijë e 778 studentë kanë përfituar nga kuleta e shtetit, shkruan Sinjali.
Mirëpo, jo të gjithë studentët gjetën mbështetje te Qeveria. Pas ekzekutimit të shtesave, në lajmin e dhënë nga Murati, morën hov ankesat nga studentët të cilët komentuan se megjithëse kanë aplikuar në e-Kosova, në xhirollogarinë bankare nuk pranuan asnjë transaksion.
Një komentuese thotë se jo vetëm asaj por as kolegëve të saj nuk u janë ekzekutuar 100 euro ndërsa kërkon sqarim nga Murati se pse nuk kanë dalë të hollat.
“Unë jam vet studente, dhe jam dëshmitare që këto të holla/shtesa për studentë jo vetëm mua por edhe më shumë se gjysmës së kolegëve të mi që kanë aplikuar nuk na kanë dalë, gjithashtu fenomenin e përmendur e gjeni edhe në komentet e mësipërme…”.
Nëse Qeveria është për studentat, atëherë është detyrë e juaja që t’a merrni përgjegjësinë të na informoni se ku qëndron problemi dhe mos ikni e të fshiheni nga pyetjet e shumta të studentëve…”, ka shkruar studentja.
Probleme dikush pati edhe me portalin shtetëror e-Kosova. Një studente thotë se nuk ka arritur të aplikoj përmes këtij portali pasi i njëjti, sipas saj ka qenë jashtë funksionit.
“Faqja për aplikim ka qenë jo e disponueshme gjatë kohës kur është dashtë të aplikoj. Madje as me u kyq nuk më ka leju. Çuditërisht pasi mbaroi afati i aplikimit, faqja u kthye në dispozicion…”, ka shkruar ajo.
Ndërsa një student pyet ministrin Murati se studentët që nuk kanë përfituar nga pakoja e Qeverisë, “a keni bë plan me i informu që s’janë kualifiku për pagesë?”.
Studentët kërkuan me ngulm përgjigje nga ministri ndërsa ky i fundit, ende nuk dha asnjë sqarim se pse disa studentë nuk kanë përfituar nga Pakoja për Përballje me Inflacionin.