Site icon PrishtinaPress

Stradner: Vuçiqi po e përdorë Kosovën si mjet pazaresh me Perëndimin

Studiuesja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, Ivana Stradner, ka thënë se sulmi që ndodhi në Banjskë të Zveçanit është një ëndërr e realizuar për Moskën.

Sipas saj, Serbia dhe Rusia i kanë përgatitur serbët për të përshkallëzuar situatën në Kosovë prej muajsh, për ta larguar vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.

“Ky përshkallëzim është një ëndërr e realizuar për Moskën. Serbia dhe Rusia i kanë përgatitur serbët për përshkallëzime në Kosovë prej muajsh, duke ndezur tensionet në Ballkan për të larguar Perëndimin nga lufta e tij në Ukrainë. Ata kanë vërshuar hapësirën e informacionit me propagandë duke përsëritur pretendimin e vjetër se Kosova i përket Serbisë – një artikull propagandistik argumentoi se Britania e Madhe po përgatit një luftë atje. Siç e di çdo student i historisë së Ballkanit, një retorikë e tillë ka ndezur më parë dhunën etnike në rajon”, shkroi Stradner në The Telegraph.

Stradner shton se një krizë në Kosovë mund të përhapet lehtësisht edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Një krizë tjetër e Kosovës mund të përhapet lehtësisht në Maqedoninë e Veriut, një vend anëtar i NATO-s, dhe do të kishte implikime të mëdha për mbrojtjen evropiane në një kohë kur SHBA-ja është e hutuar nga zgjedhjet e saj të ardhshme. Ky është një moment i rrezikshëm, por pakkush është duke folur për të”.

Studiuesja potencon se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka përdorur Kosovën si mjet pazaresh me Perëndimin.

“Vuçiq ka qenë duke e përshkallëzuar situatën në Kosovë dhe më duke e de-përshkallëzuar, kështu duke e pozicionuar veten si shtyllë të stabilitetit dhe duke e përdorur atë si mjet pazaresh me Perëndimin. Qëllimi përfundimtar i Vuçiqit është të ruajë pushtetin dhe kriza e Kosovës e ndihmon atë të largojë vëmendjen nga çështjet e tij politike të brendshme dhe të rrisë mbështetjen për zgjedhjet e ardhshme”.

Exit mobile version