Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg, ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas tensioneve që u ngritën në veri të Kosovës.
Stoltenberg tha se të gjitha ndasitë duhet të zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian, derisa përsëriti se në rast të cenimit të stabilitetit, trupat e NATO-s në Kosovë do të intervenojnë.
“Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth tensioneve në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin të gjitha diferencat përmes diplomacisë. KFOR është i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet stabiliteti, në bazë të mandatit që ka nga OKB-ja”.
Më 2 gusht, Stoltenberg zhvilloi bisedë edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe dha mesazh të ngjashëm, derisa bëri të ditur se është në kontakt të ngushtë si me Prishtinën, ashtu edhe me Beogradin.