Site icon PrishtinaPress

Stoltenberg: NATO është shumë e fokusuar në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur lidhur për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se NATO po e monitoron situatën me vëmendje të madhe.Stoltenberg, në një intervistë për “France 24”, ka komentuar situatën lidhur me luftën në Ukrainës dhe tensionet që janë përshkallëzuar në Kosovë ditëve të fundit.

“NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, e më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it numërojnë më shumë se 4,000 ushtarë dhe kanë një rol kyç në stabilizimin e situatës”, tha Stoltenberg.

“Forcat tona janë të afta dhe të përgatitura, por edhe në gatishmëri. Ato po monitorojnë situatën me vëmendje të madhe. NATO dhe BE bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejmë dhe retorika provokuese. U bëj thirrje atyre për të ulur tensionet në Kosovë”, shtoi Stoltenberg.

Ndërsa, duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Stoltenberg paralajmëroi se çdo përdorim i armëve bërthamore në Ukrainë do të kishte “pasoja të rënda, dramatike për Rusinë”, duke e quajtur retorikën bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin “të pamatur dhe të rrezikshme”.Megjithatë, kreu i NATO-s beson se “probabiliteti i ndonjë përdorimi të armëve bërthamore në Ukrainë nga Rusia mbetet i ulët”.

Strategjinë e Rusisë për të synuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës ai e quajti një “formë brutale të luftës” dhe “një mënyrë për ta kthyer dimrin në armë”, por përsëriti se pavarësisht kësaj, ai është i sigurt se ukrainasit do të vazhdojnë të rezistojnë.Ai foli edhe për hyrjen e dy vendeve nordike në një aleancë ushtarake.

“Jam i bindur se të gjithë aleatët e NATO-s, përfshirë Turqinë, do ta ratifikojnë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë. Nuk do të hamendësoj se kur. Por tashmë është e paimagjinueshme nëse rusët sulmojnë ata, që NATO të mos reagojë”, tha Stoltenberg.

Exit mobile version