Site icon PrishtinaPress

Stavileci: Ne nuk kemi pavarësi energjetike, pa të s’ka sovranitet

Sektori privat çdo vit i ka humb 300 milionë euro si rezultat i mos furnizimit të rregullt me energji elektrike. Kështu tha sot para studentëve të Kolegjit “Iliria”, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Stavileci u ka treguar studentëve sfidat me të cilat ka kaluar Qeveria për hartimin e ligjit për Trepçën.

“Në projektin që do të jetë më i madhi për vendin tonë, të cilin javën e ardhshme do ta përfundojmë, është Termocentrali ‘Kosova e Re’, i cili ka nis që shumë vite. Ne nuk kemi pavarësi energjetike”, ka thënë Stavileci. “Sektori privat çdo vit i ka humb 300 milionë euro si rezultat i mos furnizimit të rregullt me energji elektrike. Kjo është një shumë tepër e madhe e humbur dhe sot një vend nuk mund të konsiderohet i pavarur dhe sovran nëse nuk ka pavarësi energjetike”, tha Stavileci.

Sipas tij, potenciali më i madh për zhvillim ekonomik mbetet sektori i minierave, por ka shtuar se shpresa në ringjalljen e ekonomisë së vendit mbesin Trepça dhe Kosova e Re.

“Është sektori i minierave që njëjtë është një potencial i madh për ta zhvilluar vendin… Ne pas 17 vitesh e kemi bërë një ligj për Trepçën. Unë kam qenë bartës dhe kryesues i grupit punues, jemi marrë shumë me muaj të tërë, jemi munduar që t’i mbledhim të gjithë njerëzit, ekspertët e fushës nga bota akademike dhe gjithë të tjerët në mënyrë që ta krijojmë një konsensus në mënyrë që ta kemi një ligj për Trepçën. Jemi munduar që nëpërmjet këtyre dy projekteve të themi të mëdha, Trepçës dhe Kosovën e Re, t’i japim një frymëmarrje tjetër ekonomisë, sepse në momentin që këto të dyja përfundojnë, ndoshta edhe Brezovica si një projekt që duhet të rinis, këto autostrada, hekurudha duhet të përfundojnë, më nuk do të kemi projekte të mëdha”, tha Stavileci, përcjell KP.

Këto komente Stavileci i bëri në një ligjëratë që ka mbajtur para studentëve të Kolegjit “Iliria”.

Exit mobile version