Ministrit të zhvillimit ekonomik, Blerand Stavileci, nuk po i pëlqejnë shifrat e rritjes ekonomike të publikuara në raportin e Bankës Botërore. Rritja ekonomike prej 3.6 për qind , më e madhja në rajon dhe në vendet perëndimore, sipas tij është e vogël në krahasim me atë se sa i duhet Kosovës.
“Edhe pse ky raport tregon që Kosova vazhdon të mbetet vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon, ne jemi të vetëdijshëm se kjo rritje ekonomike nuk mjafton. Ne duhet të punojmë shumë më shumë që projektet e nisura të implementohen, si dhe të nisim projekte të reja që avancojnë mirëqenien qytetare, e sidomos që nxisin punësimin”, ka shkruar ai në faqen e tij zyrtare në Facebook.