Vendet nga të cilat Kosova më së shumti importon e eksporton po del të jenë Kina e Turqia. Kjo në bazë të të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e Statikave të Kosovës për muajin tetor, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 68 milionë euro, ose 28.2%. Nga to Kina ishte importuesi më i madhë në Kosovë me 9.5 për qint, si dhe Turqia me 9.2 për qint.
Eksporti i mallrave në muajin tetor 2016 kishte vlerën 27,1 milionë Euro, ndërsa importi 241,3 milionë Euro, ku është një rënie prej (-0.1%) për eksport dhe (-0.2%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27.7% e përbëjnë produktet minerale; 22.9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë produktet bimore; 4.8% e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej tyre; 4.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.7% të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.1% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 8.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 7,1 milionë Euro, ose rreth 26.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-10.3%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.9%), Austria (4.6%), Holanda (4.5%), dhe Bullgaria (3.5%).
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së janë rreth 105,4 milionë Euro, ose 43.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.2%. Importet me pjesëmarrje më të lartë janë nga: Gjermania (12.0%), Italia (7.2%), Greqia (4.2%), Polonia (3.0%), etj.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin tetor 2016, arritën në 15,2 milionë Euro, ose 56.3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%. Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Serbia (22.0%), Maqedonia (13.4%), Shqipëria (12.9%) dhe Mali i Zi (5.4%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2016, arritën në 67,8 milionë Euro, ose 28.1% e importeve të përgjithshme, ku kishte një rënie prej (-1.1%). Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.2%), Maqedonia (6.0%), Shqipëria (4.3%) dhe Bosnje e Hercegovina (3.0%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 4,6 milionë Euro, ose 17.1%. Ndërsa, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (5.7%) dhe Kina (3.9%).