Qeveria e Kosovës vendosi këtë masë tarifore ndaj shtetit serb, si kundërpërgjigje ndaj politikave të ashpra të Serbisë kundër Kosovës në nivelin ndërkombëtar.
Importi i mallrave serbe në Kosovë para vendosjes së taksës ishte diku rreth 38 milionë euro, ndërsa menjëherë vendimit për taksë, këto shifra kanë rënë pothuajse 100 për qind.
Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci për lajmi.net ka treguar se që nga vendosja e taksës e deri sot në Kosovë kanë hyrë vetëm 700 mijë euro mallra serbe.
“Nga vendosja e taksës kanë hyrë 700 mijë euro mallra, dhe aq është paguar edhe doganë”, është shprehur Stavileci.
Ai për lajmi.net ka treguar gjithashtu se mallrat janë kryesisht lëndë e parë dhe jo produkte finale e për të gjitha këto mallra nga shteti serb janë paguar saktësisht 700 mijë euro doganë.
“Nëse e kthejmë në mesatare, nëse para vendosjes së taksës mallrat që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia kanë qenë 2.2 milionë në ditë, sot janë diku nga 7 mijë deri në 8 mijë euro”, është shprehur Stavileci për lajmi.net.
Vlen të theksohet fakti se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe ka ngrirë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
Gjithashtu, Bashkimi Europian ka kërkuar nga Kosova që kjo taksë të largohet, por vendimi ende po qëndron në fuqi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e taksës, e madje kanë filluar shqyrtimin e sanksioneve si mjet bindës.
Por, kryeministri i Kosovës ka vendosur një kusht: njohjen e Kosovës nga Serbia.
E nga pala serbe refuzojnë një gjë të tillë, së bashku me mundësinë e rifillimit të dialogut pa u hequr tarifa 100 për qindëshe.