Site icon PrishtinaPress

Stano: Masat ndaj Kosovës janë plotësisht të kthyeshme, varësisht nga zhvillimet në terren

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) të aplikuara ndaj Kosovës, në aspektin ekonomik, shihen si një goditje e rëndë për vendin. Vet BE nuk tregon se sa është shuma e saktë që ka pezulluar nga fondet e saj, mirëpo insiston se ato Kosova nuk i ka humbur dhe projektet mund të kthehen në rast të ndryshimit të sjelljes së Qeverisë së Kosovës dhe plotësimit të kërkesave të tyre për shtensionimin e situatës.

Shoqëria civile dhe partitë opozitare kërkojnë që kryeministri Albin Kurti të ketë koordinimin me aleatët pasi tashmë po rrezikohen edhe projektet në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i njohur me akronimin IPA, i cili financohet nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2024.

Arbëresha Loxha-Stublla, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë se Kosova vetëm nga programet IPA deri në vitin 2020 ka përfituar 1.2 miliardë euro, ndërsa këtë vit janë nënshkruar marrëveshje edhe për rreth 64 milionë të tjera si ndihmë financiare për Kosovën.

Ajo thotë se ndikimi i pezullimit të këtyre fondeve do të fillojë të ndihet nëse situata nuk ndryshon së shpejti dhe kriza fillon e thellohet.

“Prej vitit 2007 deri në vitin 2020 përmes 14 marrëveshjeve ose partneriteteve në kuadër të IPA-s që Kosova e ka pas me IPA I dhe IPA II, ka përfituar 1.2 miliardë euro ndihmë financiare prej BE-së. IPA III që është nënshkruar së fundmi parasheh ndihmë financiare për Kosovën që është rreth 64 milionë euro, pra këto janë shumat financiare të IPA-ve të cilat i ka përfituar Kosova ose të cilat pritet t’i përfitojë. BE është donatori më i madh për Kosovën. Përmes IPA-s janë financuar sektorë të ndryshëm, ose parashihen të financohen sektorë të ndryshëm, përfshirë, bujqësinë, energjinë, arsimin, por edhe shoqërinë civile. Efektet reale të këtyre masave mund të vërehen në qoftë se do të thellohet kriza tutje sepse vetëm atëherë mund ta shohim realisht ndikimin e ndalimit të fondeve në këto sektorë”, thotë Stublla.

Një tjetër masë ndaj Kosovës është edhe pezullimi përkohësisht i punës së të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në BE – si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.

Stublla thotë se edhe kjo është një tjetër lajm i keq duke qenë se është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian duke sugjeruar që të gjendet një zgjidhje për situatën në veri.

“Anën tjetër është MSA, që është marrëveshja e parë kontraktuale që Kosova ka nënshkruar BE-në, dhe rrjedhimisht pezullimi i saj gjithashtu e lë një shije të keqe në kuptim të asaj që është marrëveshja e vetme kontraktuale që ne e kemi me BE-në dhe pezullimi i takimeve nënkomiteteve do të ndikojë si mbarëvajtje ose llogaridhënie të Kosovës në kuptim të përmbushjes së MSA-së dhe në kuptim të imazhit… 02:17 Në qoftë se thellohet kriza dhe këto masa kanë me qenë fuqi për një kohë të gjatë, natyrisht në kuptim financiar kemi me humb sepse aktualisht IPA III ka paraparë rreth 64 milionë euro… 2:34 Duhet të arrihet një pajtim mes dy palëve fillimisht, mes Kosovës dhe Serbisë dhe një dakrodim dhe koordinim më i mirë i Qeverisë së Kosovës me partnerë ndërkombëtarë”, vijon Stublla.

Edhe propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor. Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, potencon se Kosova fatkeqësisht ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që BE t’i ndalë masat që ka vendosur për Kosovën.

“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti. BE-ja po monitoron gjithashtu nga afër përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”, tha Stano për KosovaPress.

Edhe nga Qeveria e Kosovës nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me shumën e fondeve të pezulluara në kuadër të masave të BE-së, duke sugjeruar që t’i drejtohemi Unionit pasi janë ata që i kanë ndërmarrë ato.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë se nëse kjo gjendje do të vazhdojë kështu, Kosova rrezikon të humbasë të gjitha projektet me Bashkimin Evropian.

Sipas saj, nëse kryeministri Kurti nuk është në gjendje të gjejë një zgjidhje për situatën, atëherë duhet të hap rrugën për dikë tjetër.

“Tash për 2024 nëse vazhdon gjendja kështu ne nuk do të përfitojmë nga IPA, gjithashtu edhe takimet bilaterale dhe takimet tjera që janë të rëndësishme për vendin… Masat janë tejet të dëmshme, propozimet e qeverisë në Këshillin e Bashkimit Evropian këtë herë nuk kanë hyrë për shkak të gjendjes në veri, ka qenë një përfitim i mirë për vendin, mirëpo ata nuk e kanë marrë parasysh për shkak të gjendjes. Nëse kjo gjendje vazhdon edhe për IPA 2024 është shqetësuese ku nuk do të fitojmë asnjë projekt nga BE… Zgjedhja më e mirë kish me qenë që kryeministri, Kurti të dakordohet me ShBA-të dhe BE-në ose t’i lëshojë rrugë një kryeministri tjetër, sepse kështu nuk shkon”, thotë Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje është e vetëdijshme se fondet e Bashkimit Evropian kanë ndikim në ekonominë e Kosovës.

Deputeti i kësaj partie, Driton Hyseni shprehet i bindur se masat së shpejti do të hiqen pasi Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që të plotësojnë kërkesat e BE për shtensionimin e situatës.

“E gjithë ideja është pezullimit të aplikimeve të reja për fondet IPA si masë të cilën BE e ka parë nga këndvështrimi i tyre që mund të nxisë drejt përmirësimit të gjendjes që ata konsiderojnë në veri dhe shtensionimit atje. Ato fonde gjithmonë kanë pas impakt në zhvillimet në Kosovë, janë fonde që BE i ka ndarë rregullisht për projektet në Kosovë. Mirëpo, konsideroj se institucionet e Kosovës kanë shprehur gatishmërinë e plotë që të ndërmarrin hapa për implementimin edhe të disa prej kërkesave që në këtë rast i kemi nga BE për shtensionimin e situatës në veri të vendit… Pra, të përfillen të gjitha procedurat e nevojshme ligjore dhe në këtë drejtim masat e BE-së do të jenë masa që shumë shpejtë edhe do të kthehen në piken zero, sepse nuk do të ketë arsyeje”, thotë Hyseni.

Bashkimi Evropian kishte thënë se më 28 qershor kishte njoftuar zyrtarisht Kosovën për masat e ndërmarra ndaj saj pasi nuk ka ndihmuar në shtensionimin e situatës në komunat më veriore të Republikës. Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kosovës tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Exit mobile version