8.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Stadiumi “974” ishte parashikuar si donacion për Kosovën nga Katari: Ministri Çeku zbulon se çfarë ka ndodhur me planin

Në fund të vitit të kaluar u bë temë diskutimi se stadiumi “974” në Katar, aty ku u zhvilluan disa prej ndeshjeve të Kampionatit Botëror, mund të zhvendoset në Kosovë menjëherë pas përfundimit të kampionatit.

Kjo është e mundur për shkak se ai u ndërtua nga një strukturë e përbërë nga 974 kontejnerë dhe bisedimet për këtë Federata e Futbollit të Kosovës i kishte nisur me rastin e vizitës së Gianni Infantinos në Kosovë.

Por, ky donacion duket të jetë vështirë që të përfitohet nga Kosova pasi kostoja për bartjen e tij është tejet e lartë dhe rrjedhimisht e papërballueshme me buxhetin e FFK-së.

Në lidhje me këtë çështje, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë për KosovaPress se megjithëse janë në dijeni për situatën, nuk është bërë asnjë analizë konkrete për përfitimin e këtij donacioni sepse marrja e tij mund të kushtojë më shumë se sa ndërtimi i një stadiumi të ri në Kosovë.

“Gara është e Federatës së Futbollit, natyrisht kur qëllimi është i mirë, mbështetja nuk do të mungojë. Duhet ta bëjmë analizën me kujdes, duhet ta dimë sa kushton sepse ai donacion nuk nënkupton me ta sjellë deri këtu, donacionet janë tuajat por ejani merreni, që i bie çmontojeni, transportojeni pastaj montojeni dhe kjo kushton shumë. Nuk kemi diskutim as për lokacionin se ku duhet të vendoset e shumë parametra të tjerë. Nuk po them se është ngutur Federata e Futbollit po kemi nevojë të jemi shumë më të kujdesshëm kur ndërmarrim veprime të tilla sepse nganjëherë kostoja mund të jetë më e madhe ta sjellim atë se sa ta ndërtojmë një stadium të ri nga e para”, tha Çeku.

I pari i MKRS-së shtoi më tutje se një problematikë tjetër do të ishte edhe mirëmbajtja e tij për shkak të strukturës së veçantë të ndërtimit që e ka.

“Është një stadium që është ndërtuar me një metodologji shumë më ndryshe dhe nuk e dimë as sa kushton mirëmbajtja sepse mund të jetë problemi edhe te mirëmbajtja nesër sepse mund të kushtojë shumë mirëmbajtja mirëpo ne si institucione sa herë që federatat tona kanë qëllime të mira, bëjnë punë të mira, i mobilizojmë të gjitha burimet që i kemi, jo vetëm financiare për t’iu dalë në ndihmë.”, tha Çeku.

E kur flitet për stadiumet, Çeku zbulon se ministria që ai drejton ka një plas sipas të cilit brenda pesë viteve në Kosovë do të ndërtohen 26 stadiume me një kosto prej 170 milionë eurove.

“Për futbollin plani ynë, rreth pesë vite 26 stadiume, 170 milionë euro është ai që është në fuqi sepse duam që brenda pesë vite të mos ketë më diskutim për infrastrukturën e futbollit në Kosovë, pra t’i kryejmë ato që kanë mbetur në gjysmë, t’i nisim edhe disa të reja. Për shembull Ferizaj nuk ka fare stadium, Gjakova është në ndërtim , Peja është në gjendje shumë të rëndë dhe kanë nevojë për stadiume. Ka edhe qytete më të vogla që kanë nevojë për stadiume dhe ky është vizioni ynë. Ne tashmë e kemi mobilizuar një pjesë të këtij fondi, të 170 milionëshit nga buxheti i shtetit, por kemi nevojë për ndihmën e asociacioneve ndërkombëtare, sidomos të UEFA-së”, tha Çeku.

Para pak ditësh kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, deklaroi për KosovaPress se kostoja tejet e lartë e bartjes së stadiumit “974” nga Katari në Kosovë është pengesa kryesore që i njëjti të zhvendoset në vendin tonë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img