Site icon PrishtinaPress

“Srpska Lista” me propagandë për stacionin policor që po ndërtohet në Zubin Potok: Veriu i Kosovës po i ngjan Koresë së Veriut

Lista Serbe ka lëshuar një reagim për media duke thënë se ndërtimi i stacionit policor në Zubin Potok ka nxitur pakënaqësi tek komuniteti serb. Në një komunikatë të mbushur me propagandë, “Srpska” thotë se një veprim i tillë “është shembull i presionit institucional të Prishtinës ndaj popullit serb”.

Sipas partisë që drejtohet tashmë nga Zllatan Elek, një vendim i tillë “synon të krijojë tensione dhe përshkallëzim të situatës në veri, duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për de-eskalim dhe themelim të Asociacionit”.

“Srpska” pretendon se deklarimet se ekziston vendim qysh në vitin 2018 për ndërtimin e stacionit “janë informacione të rreme”, meqë sipas tyre “s’është dorëzuar asnjëherë në pushtetin vendor dhe as s’është kërkuar pëlqimi apo leja e duhur për ndërtimin e objektit”.

Në fund kanë shkruar se i bëjnë thirrje ndërkombëtarëve që “ta frenojnë Kurtin” dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës në terren.

“Veriu i Kosovës me ndërtimin e bazave parapolicore nga Prishtina, gjithnjë e më shumë i ngjan burgut të hapur apo Koresë së Veriut, sesa fshatrave dhe qyteteve evropiane. Presioni institucional që Kurti po ushtron ndaj qytetarëve tanë, madje edhe ndaj fëmijëve është përtej çdo mase dhe ata duhet të veprojnë urgjentisht. Kërkojmë gjithashtu reagimin e EULEX-it dhe KFOR-it, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve, por besojmë të vetëdijshëm se kjo lëvizje nuk është një hap në drejtimin e duhur në kuptimin e deeskalimit të situatës”, thuhet në komunikatën propagandistike të “Srpskas”.

Exit mobile version