Gjermania njofton se do të marrë përsipër zotimin për ta detyruar Prishtinën të formojë një Asociacion të Komunave Serbe nëse Serbia “hesht” që Kosovës t’i jepet statusi i një vëzhguesi në OKB.
Sipas “Sputnik”-ut, Perëndimi padyshim është i vendosur të zgjidhë çështjen e Kosovës deri në fund të këtij viti. Ky portal thotë se Berlini do t’i kërkojë Serbisë që të mos kundërshtojë idenë se Kosova do të marrë statusin e shtetit vëzhgues në OKB.
“Sputnik”-u kujton se kjo nuk është hera e parë që përmendet një referendum i tillë, por se kjo do të jetë hera e parë që Gjermania do ta paraqesë zyrtarisht këtë propozim.
Disa media të Beogradit tashmë po shkruajnë se propozimi duhet të dorëzohet në Beograd nga ministri i jashtëm gjerman Hajko Mas, në prag të vazhdimit të paralajmëruar të negociatave Beograd-Prishtinë në Bruksel, kur takohen presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi, raporton B92, transmeton Periskopi.
Thuhet se plani i ofruar nga gjermanët bazohet në modelin që Palestina ka pranuar në vitin 2012 për statusin e vendit vëzhgues në Kombet e Bashkuara.
Pavle Jevremoviq, ish-ambasadori serb në Kombet e Bashkuara, tha për “Sputnik” se marrja e një vendimi për dhënien e një statusi të tillë në një vend të vetëm nuk varet nga Këshilli i Sigurimit, por nga dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Një propozim i tillë për Kosovën mund të ishte dorëzuar si një iniciativë nga çdo vend, por është e qartë se janë pritur disa vota. Nuk jam i sigurt se Gjermania do të jetë ai që do ta paraqesë këtë iniciativë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sepse dështimi ishte një goditje e madhe diplomatike për atë vend. Nga ana tjetër, procedura është e tillë që Asambleja e Përgjithshme duhet së pari të nxjerrë Rezolutën në bazë të një iniciative dhe pastaj vetëm të votojë”, shpjegon ai.
Jevremoviq thotë se Serbia nuk duhet ta njohë Kosovën, edhe nëse ky skenar është realizuar dhe se vetë roli i shtetit të vëzhguesit brenda vetë OKB-së nuk ka ndonjë funksion të rëndësishëm.
“Një shtet i tillë nuk mund të marrë pjesë në marrjen e ndonjë vendimi, as në votim. Ky është statusi i Palestinës dhe i Vatikanit”, kujton ai.
“Sputnik” shkruan gjithashtu se Berlini nuk synon të nënshkruajë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të vitit dhe se Gjermania e ka koordinuar këtë iniciativë me Amerikën, e cila është veçanërisht aktive në Kosovë këto ditë.