Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kërkojnë me ngul themelimin e Asociacionit dhe kanë deklaruar se po presin që Qeveria e Kosovës të propozojë menjëherë një draft-statut për atë se si duan të duket Asociacioni. Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova e ka një draft për Asociacionin, por që kryeministri Albin Kurti nuk po e shpalos.
Lidhur me këtë ka folur sot kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se Qeveri ae Kosovës nuk ka shkruar draft-statut për Asociacionin.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se për të shkruar draft për Asociacionin duhet të ketë fillimisht pajtim për parimet bazë. Për këto parime Kurti shton se është pajtuar SHBA-ja.
Ai tutje ka treguar se ka përmendur shtylla për draftin e që janë letra e Federica Mogherinit, qëndrimi amerikan i shprehur në letrën e Chollet dhe Escobar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shkruan Express.
“Draft-statut të Asociacionit Qeveria e Kosovës nuk ka shkruar. Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për një draft-statut për thellimin e mëtejshëm të draft-vizionit qysh në Ohër, kur u refuzua një gjë e tillë më 18 mars. Dhe gjithashtu kemi shprehur në vazhdimësi gatishmërinë tonë, kur të pajtohemi për parimet. Sepse s’ka kuptim një tekst gjerë e gjatë nëse parimet bazë nuk janë të dakorduara. Me sHBA-në kemi pajtueshmëri të plotë sa i përket parimeve bazë, dhe këtë e ka thënë ambasadori Hovenier. Unë kam deklaruar në Ohër se e shkruaj draft statutin me shtyllat: Qëndrimi i BE-së, letra e Federica Mogherinit, qëndrimi amerikan i shprehur në tekstin e Chollet dhe Escobar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.
Kurti ka treguar se më 2 maj kishte propozuar një draft-vizion të bazuar në modelin kroat dhe ka shpjeguar se pse e ka zgjedhur atë si model.
“Së pari më 2 maj unë kam propozuar një draft vizion me dy faqe për ta realizuar nenin 7 të marrëveshjes themelore lidhur me nenin 10 , përkatësisht marrëveshjet e mëhershme. Kjo parashihte një kornizë shumë progresive e pozitive për vetëmenaxhimin e komunitetit serb të inspiruar në modelin kroat, raporton Express.
Pse e kam marrë Kroacinë, sepse edhe Kroacia ka dalë nga lufta e shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë sikurse Kosova, e dyta Kroacia është shembull suksesi për anëtarësim në BE dhe NATO.
Dhe e treta, Serbia ka një marrëveshje për normalizim me Kroacinë, po inspirohemi prej saj që ta bëjmë edhe një marrëveshje për normalizim edhe neve, e ku për fqinjësi të mirë duhet të mbrohen edhe pakicat”, ka potencuar tutje.
Por Kurti thotë se kur në Ohër ka thënë se mund ta zgjerojë draftin edhe më tej, presidenti Vuçiq ka qenë duke e lëshuar takimin.
“Kjo është arsyeja pse e kam bërë këtë propozim. Unë kam thënë që mund ta zgjeroj edhe më tutje, me datën 18 mars në Ohër madje kam ofruar që ta shkruaj një draft-statut, por pasi të pajtohemi për parimet bazë dhe ai ka qenë momenti kur presidenti i Serbisë e lëshoi takimin”, ka potencuar Kurti.