Site icon PrishtinaPress

Spitalet pa penj kirurgjikë

Në shumicën e klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku aktualisht kryhen operacione kirurgjike, mungojnë penjtë. Rrjedhimisht, pacientët janë të detyruar që vetë t’i blejnë ato për operacione.

Këtë e ka bërë edhe Hajzer Hasani nga Podujeva, bashkëshortja e të cilit më 15 nëntor e ka pasur të caktuar një operacion në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Prishtinë.

“Mjekët me kanë thënë që duhet t’i blejmë vetë penjtë. I kam blerë edhe mund t’i shikoni. Më kanë kushtuar 130 euro”, tha Hasani.

“Nuk është në rregull që gjërat elementare të blihen, por në këto raste nuk ke çare pa i blerë. Nuk kemi çka të bëjmë në këtë rast”, shtoi ai.

Doktorët kirurgë në QKUK dhe mbikëqyrësit e furnizimeve me materiale për sallat e operacioneve kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë të penjve, si dhe të disa materialeve të tjera [izoluese].

Nga drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) shpjegojnë se kjo situatë ka ndodhur për shkak të një ankese të operatorit ekonomik tek Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pasi që është shpallur fituesi i tenderit nga sektori i prokurimit në SHSKUK.

“Për momentin është duke u trajtuar ankesa në OSHP”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga drejtoria e SHSKUK-së.

Ndërkohë, drejtoria e SHSKUK-së nuk ka treguar se pse nuk janë bërë planifikimet me kohë duke pasur parasysh edhe mundësinë e ankesave nga operatorët.

Problemi me furnizim të qëndrueshëm me penj ka filluar disa muaj më parë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një nga kryeinfermieret në Kliniken e Kirurgjisë.

“Që nga vera, nganjëherë kemi pasur [penj], e nganjëherë [ka pasur] edhe mungesa, pavarësisht se nga sallat e operacioneve janë bërë porositë në barnatoren qendrore”, tha një nga kryeinfermieret, e cila nuk deshi të identifikohet.

Kurse, me këtë problem nuk ballafaqohen vetëm klinikat në Prishtinë, por edhe spitalet rajonale, siç janë ato në Mitrovicë, Prizren e Pejë.

“Penj kirurgjikë nuk kemi qe një vit. Për një kohë kemi huazuar nga SHSKUK-ja, deri para tre apo katër muajve, tash duhet të blihen, [pacientët duhet t’i blejnë vetë]”, thotë drejtoresha e spitalit rajonal në Mitrovicë, Luljeta Zhubi.

Në Prizren thonë se kanë mungesë të disa llojeve të penjve poliglaktik (absorbues), kurse drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Fazli Shala, edhe pse thotë se aktualisht në Pejë ka, “jo gjithmonë jemi të furnizuar 100 për qind”.

Bujar Vitija, kryeredaktor në gazetën “Shneta”, e cila raporton mbi sektorin e shëndetësisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptimtë mungesa e gjërave kaq bazike në spitale dhe klinika në SHSKUK.

“Sa i përket kërkesave të njësive për furnizime të ndryshme, ato bëhen me kohë, por vonesat po shkaktohen si rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjësisë në administratën e SHSKUK-së dhe Barnatores Qendrore. SHSKUK-ja, aktualisht, ka buxhet sepse ka pranuar alokimin e fundit nga Qeveria për tremujorin e katërt, por megjithatë ka mungesë të materialeve dhe barnave. Kjo është e pakuptimtë dhe duhet të ketë më shumë përgjegjësi për këto mungesa”, thotë Vitija.

Në bazë të Ligjit për shëndetësi, SHSKUK-ja ka për detyrë që të ofrojë shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor duke synuar performancë, efiçiencë dhe efikasitet sa më të lartë të shërbimeve për pacientët në pajtim me Ligjin për shëndetësi.

SHSKUK-ja është institucion unik shëndetësor dhe përbëhet nga institucionet e nivelit dytësor(sekondar) dhe tretësor (terciar) të kujdesit shëndetësor në sektorin publik të shëndetësisë si njësi organizative në pajtim me Ligjin për shëndetësi.

Exit mobile version