Përballë Serbisë, në tavolinën e dialogut duhet të ketë konsensus të plotë të spektrit politik në Kosovë. Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike, sipas të cilëve, nuk ka sa duhet transparencë për sa i përket bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në një dinamikë të re dhe ndërkombëtarët kanë shtuar presionin ndaj të dyja palëve për arritjen e një marrëveshjeje, njohës të rrethanave politike në vend kërkojnë konsensus të spektrit politik në vend. Analisti politik, Arben Fetoshi, ka thënë se konsensusi është i domosdoshëm, në mënyrë që Kosova të dalë sa më mirë në dialog më palën serbe.
“I gjithë spektri politik i Kosovës përballë Serbisë duhet të jetë unik dhe duhet të arrijnë një konsensus të domosdoshëm, në mënyrë që procesi i dialogut të jetë sa më shumë në favor të Kosovës”, deklaroi Fetoshi për Radio Kosovë.
Përveç konsensusit politik, analistët kërkojnë edhe transparencë më ë madhe se për çfarë po bisedohet dhe çfarë konkretisht përmbajnë draft planet e publikuara për dialogun. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se ka vetëm deklarata se do të arrihet një marrëveshje por nuk dihet se për çfarë.
“Nuk ka transparencë dhe nuk po dimë cila është marrëveshja dhe se çka përmban ajo marrëveshje, vetëm po thuhet se do të ketë një marrëveshje brenda javësh. Gjatë kësaj kohe mund të këtë marrëveshje për targat, apo të pagjeturit, por marrëveshje finale nuk shoh aktualisht në tavolinë”, ka thënë Arifi.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuar të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së fundit që pati në Kosovë, foli se arritja e një marrëveshjeje është çështje javësh, por nuk specifikoi për çka bëhet fjalë konkretisht. As Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë më shumë detaje./Prishtinapress/