Ballkani dhe Drita janë përballur në një ndeshje të zjarrtë në Suharekë, por që nuk ka sjell fitues pasi rezultati përfundimtar ishte baras 1-1.
Ka qenë një ndeshje me dinamikë të madhe që nga fillimi i saj, me dy skuadrat që kërkonin golin.
Por ishin vendasit që e gjetën të parët epërsinë, kur në minutën e 17-të, ishte kapiteni Edvin Kuc që realizoi me kokë për 1-0.
Vetëm dy minuta më vonë vendasit patën mundësi të artë për ta ngritur epërsinë, por goditja e Albion Rrahmanit shkoi mbi portë.
Ishte minuta e 36-të e ndeshjes kur mysafirët gjetën golin e barazimit, kur Almir Ajzeraj harkoi nga këndi, derisa Leonat Vitija dërgoi topin në rrjetë nga afërsia për 1-1.
Me rezultatin baras 1-1 u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.
Edhe pjesa e dytë nisi me intensitet të lartë, me dy skuadrat që krijonin raste të shumta.
Blend Baftiu pat rast të mirë shënimi, por në minutën e 55-të goditja e tij u ndal nga traversa duke mbetur rezultati i pandryshuar.
Rrahmani nga ana tjetër rrezikoi për vendasit, por goditja e tij u prit nga Faton Maloku.
Drita pati dy raste të mira me Muharrem Jasharin, por goditja e parë u prit nga Luljanovic, derisa e dyta shkoi jashtë portës.
Në minutën e 91-të, Lorenc Trashi bëri një goditje të fuqishme nga distanca, por Faton Maloku bëri pritje të mrekullueshme.
Në rastin në vijim, vendasit goditën bukur me kokë, por nga vija fatale topin e largoi Ilir Blakcorri për t’i siguruar skuadrës së tij një pikë të madhe.
Ballkani vazhdon të mbetet lider në Albi Mall Superligë me 50 pikë, derisa Drita është e dyta me 48.
Ndeshjen e ardhshme Ballkani e luan në udhëtim te Llapi, derisa Drita luan derbin lokal si mysafir i Gjilanit.