Gjykata Speciale nga sot është në pushim të verës, duke mbyllur kështu një pjesë të dëgjimit të deshmitarëve në procesin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Por, aspak nuk ka shkuar siç kishte premtuar në fillim të seancave paneli i gjyqtarëve. Ata kishin thënë se synojnë të kenë një proces transparent dhe të shpejt – si një nga të drejtat bazike për një të akuzuar, shkruan Lajmi.net.
Për katër muaj sa ka zgjatë deri tash gjykimi, janë dëgjuar vetëm 15 dëshmitarë. Nëse gjykata vazhdon me këtë ritëm të dëgjimit të dëshmitarëve, do të duhen disa vite për të përfunduar procesi.
Nga këta 15, 13 dëshmitarë kanë qenë të mbyllur për publikun dhe vetëm 2 prej tyre të hapur, sic ishte rasti me ish Komandantin e Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa dhe një ish veshguesi të OSBE-së.
Dëshmimet në Speciale pritet të vazhdojnë më 14 gusht dhe dëshmitarë në total janë rreth 300.
Krerët e UÇK-së janë në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit 2020. Dy vjetë e gjysmë i kanë kaluar të mbyllur pa filluar fare gjykimi. Çdo kërkesë e tyre për mbrojtje në liri është refuzuar.
Gjykata Speciale është kritikuar shumë edhe këto ditë për seancat e mbyllura e për proces të ngadaltë. Kritikat e mëdha për të mbesin për mungesë transparence, duke redaktuar provat e aktakuzën, duke mbajtur fshehtë provat shfajësuese, marrjen e provave nga Serbia, duke mos përfillur bazën e saj juridike dhe bazën e saj të themelimit. Poashtu, një nga vërejtejet e mëdha është se kjo gjykatë vepron si një trup i pavarur, ku askush nuk e mbikqyrë nëse ajo po shkelë të drejtat e njeriut.