Site icon PrishtinaPress

Specialja konfirmon bastisjet: ZPS po zhvillon operacione të vazhdueshme në Kosovë

Prokuroria e Gjykatës Speciale ka zhvilluar disa aksione gjatë ditës së djeshme dhe ka vazhduar edhe sot. Shënjestër e bastisjeve ishin tre ish-këshilltarët e presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala, Bashkim Smakaj dhe Artan Behrami.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Christopher Bennett, ka konfirmuar për Gazetën Express aksionet, duke thënë se ato “janë të vazhdueshme”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, tha ai.

Shtëpia e Artan Behramit është bastisur sot në mëngjes, siç mëson Gazeta Express. Ndërkaq, ajo e Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt u bastisën gjatëditës së djeshme. Smakaj ka shërbyer edhe si shef i AKI-së.

Pas bastisjeve dje në shtëpitë e kolegëve të tij, Behrami reagoi duke thënë se Gjykata Speciale po dënon vetëm shqiptarët dhe për këtë e quajti edhe “fashiste”.

“Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët. Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle. Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedentë”, tha dje Behrami.

Përveçse këshilltar i Thaçit, Smakaj ka shërbyer edhe si shef i AKI-së. Për bastisjen e shtëpisë së tij dje kishte folur Hetim Smakaj, axha i Bashkim Smakajt, i cili deklaroi se nuk kanë qenë në dijeni për këtë bastisje. Ai nuk u lejua të hyjë në shtëpinë e ish-shefit të AKI-së.

Sipas tij, këto bastisje nuk janë të mira, për shkak të akuzave të pavërteta.

“Ne nuk dimë asgjë rreth bastisjeve, kemi dëgjuar edhe ne prej mediave. Nuk e kemi pritur këtë bastisje… U nisëm të shkojmë të shikojmë se çka po bëhet, t’i mësojmë arsyet pse, por nuk po mundemi me hy deri të dalin policia…Smakaj më ka mixhë, unë djalë të vëllaut e kam… Nuk besoj që kemi, nuk kemi bë kurrfarë vepre. Nuk janë të mira këto bastisje, këto janë do akuza të pavërteta, me dëshmitarë të rrejshëm. Gjithkush flet diçka edhe këta i marrin si diçka, po nuk ka asgjë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Shala është figurë e njohur në Kosovë, për shumë vite ka qenë gazetar, politikan (deputet në Kuvendin e Kosovës) dhe së voni edhe këshilltar i ish presidentit Hashim Thaçi. Në fund të viteve 90’të ka qenë edhe pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambouillet të Francës.

Exit mobile version