12.7 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Spanja kundërshtare e madhe e Kosovës edhe në sport

Përveç se nuk e njeh shtetin e Kosovës, Republika e Spanjës po i trajton padrejtësisht edhe sportistët kosovarë.

Kosova mund të mos marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Tarragona të Spanjës këtë vit, për shkak të vështirësisë për pajisje me viza spanjolle.

Me këtë çështje është marrë së fundmi edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, të cilët po punojnë për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare që do të mbahen nga 22 qershori deri më 1 korrik.

Zëvendësdrejtori i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Pere Miro, ka zbuluar se Spanja nuk është duke i përgatitur vizat për atletët e Kosovës të regjistruar në Lojrat Mesdhetare.

“Komiteti Olimpik i Kosovës dhe organizata e Lojërave Mesdhetare na kanë kontaktuar për të na informuar [për çështjen e vizave v.j]. Nëse është një situatë reale, për të cilën unë shpresoj se nuk është, e konsiderojmë shqetësuese”, tha Miró në një intervistë për televizionin spanjoll RAC1.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar thekson se Spanja është duke shkelur rregullat ndërkombëtare të sportit, në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, raporton Insporti.

Miró rikujtoi se rregullat ndërkombëtare në këtë drejtim janë shumë të qarta: “Sporti gëzon një rezolutë të Kombeve të Bashkuara të vitit 2014 që riafirmon autonominë e sportit dhe atë rezolutë, është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara, përfshirë Spanjën”.

Në lidhje me këtë, zv/drejtori i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar u shpreh se falë kësaj rezolute, “kurrë më parë” nuk ka pasur probleme në këtë drejtim, edhe pse “vendet në fjalë nuk kanë marrëdhënie diplomatike ose nuk e njohin njëra-tjetrën”.

“Mund të flasim për çdo lloj marrëdhënieje, nga konflikti arabo-izraelit deri tek ai i Kosovës. Për shembull, një nga shtetet që nuk e njeh Kosovën është edhe Rusia”, tha Miró.

Por, ai shpjegoi se Rusia i kishte pajisur me viza ekipin përfaqësues të Kosovës në xhudo, për pjesëmarrjen e tyre në Kupën e Botës, të mbajtur në vitin 2017.

“Rusët, pavarësisht se nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe s’e njohin atë si shtet, në sajë të rezolutës së OKB-së, u është dhënë viza dhe atyre u është lejuar të parakalojnë me flamurin e tyre”, rrëfen Miro. “Nëse kjo ndodhi në Rusi, nuk mendoj se shteti spanjoll është në gjendje të bëjë të njëjtën gjë”.

Miró tha se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka dërguar një letër Íñigo Méndez de Vigos, ministrit spanjoll të Arsimit, Kulturës dhe Sportit, përmes së cilës e ka njoftuar atë për këtë situatë të Kosovës por deri tani nuk kanë marrë përgjigje. /Insajderi.com

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img