Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi të premten se kishte vënë në sekuetro pasuri të shumta në pronësi të dy drejtuesve të një skeme mashtrimi me investimet “ on line”, Jusel Micit dhe Mendim Domit, si dhe personave të lidhur me ta. Viktima të tyre ishin shtetas të huaj, kryesisht italianë, nga të cilët mendohet se përfituan të paktën 3 milion euro.
Janë tre llogari bankare ku gjendeshin mbi 210 mijë euro dhe 28 prona të cilat përfshijnë, apartamente, garazhe, dhe sipërfaqe tokash në Tiranë, vila në resorte në bregdet, dhe kuota në një shoqëri aksionere. Prokuroria nuk dha një vlerësim të pronave të sekuestruara të cilat duhet të shkojnë në disa miliona euro.
Hetimet ndaj tyre kishin nisur në vitin 2021 pasi më parë autoritetet italiane kishte rregjistruar një procedim penal ku përfshiheshin dhe shtetas italianë. Ngritja e një skuadre të përbashkët hetimore çoi një vit më pas në goditjen e rrjetit të ngritur prej Micit dhe Domit, të konsideruar si organizatorët e skemës së mashtrimit. Operacioni u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri dhe Itali. Në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme dërgoi çështjen për gjykim.
Sipas hetimeve “mashtrimi “on line” lidhej me investime shumash në letra me vlerë dhe kriptovaluta, përdorimin e shoqërive fiktive (Capitalcom Investment, Direct Coin Limited, Lead Secure Ltd, Finex Group Ltd, Futurus X OU, Luxor, Mm Consulting S.R.S.S. Shoqëri Scs Smart Coomunications Services S.R.L.S Estra dhe të tjera) për kalimin e vlerave monetare të mashtrimit”.
Hetimet zbuluan se “këto shoqëri përdoreshin për aktivitetin kriminal, duke hapur llogari rrjedhëse të huaja (Lituani, Britani e Madhe, Belgjikë, Luksemburg, Gjermani dhe Itali), duke menaxhuar faqe interneti që reklamonin aktivitetin, si dhe përdornin qëndra thirrje (call center), në Itali dhe Shqipëri, nëpërmjet të cilave kontaktonin viktima (klientë) të shumta, duke i bindur të bëheshin pjesë e programeve të rreme të investimit.
Autorët i propozonin viktimave, të derdhnin shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet transferimeve on line në llogaritë rrjedhëse të huaja, të kompanive të tyre. Me marrjen e menjëhershme të këtyre shumave, nga grupi i strukturuar, këto para zhdukeshin duke u konvertuar kryesisht në kriptovaluta”, raporton VOA.
Sipas Prokurorisë së Posaçme “dëmi ekonomik i shkaktuar, që është provuar nga hetimi, duke iu referuar në mënyrë ekskluzive të ardhurave nga mashtrimet e kallzuara, si dhe ato të arritura nëpërmjet përdorimit të kompanive fiktive, arrin në vlerën 3 milionë Euro”, por dyshohet se kjo vlerë të jetë shumë më e madhe, duke konsideruar të dëmtuarit, që nuk kanë bërë kallzim për mashtrimet ndaj tyre.