Kanë mbetur më pak se dy javë para se të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në veri të Kosovës.
Mirëpo analisti politik, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se zgjedhjet duhet të shtyhen për një afat të pacaktuar derisa të pastrohet situata.
Në një intervistë për klankosova.tv ai ka thënë se është Lista Serbe ajo e cila do të provojë të pengojë që këto zgjedhje të mos mbahen në mënyrë të rregullt.
“Lista Serbe do t’i pengojë zgjedhjet. Nëse nuk merr pjesë, atëherë do ta pengojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe pritet një situatë e tensionuar me incidente të ndryshme”.
“Ajo që unë do të kisha sugjeruar është që të shtyhen zgjedhjet deri në një afat të pacaktuar deri sa të pastrohet situata sepse në veri janë ende të pranishme strukturat paralele dhe bandat kriminale të cilat operojnë aty”.
Sipas tij, pa pastrimin e terrenit në mënyrë që të mos ketë se kush të pengojë, nuk mund të mbahen zgjedhje normale.
I pyetur nëse Beogradi përmes Listës Serbe po e shkel marrëveshjen me Kosovën të arritur në Bruksel dhe në Ohër, Spahiu thotë se nuk mund të dokumentohet se Lista Serbe dirigjohet tërësisht nga Beogradi edhe pse dihet që është e varur prej saj.
“Nuk ka se si të dokumentohet që Lista Serbe dirigjohet nga Beogradi. Mund të themi se është në vullnetin e tyre që t’i pengojnë zgjedhjet e lira në veri edhe pse ne e dimë se është e varur prej Beogradit”.
“Prandaj duhet të shtyhen zgjedhjet në mënyrë që gjërat të saktësohen mirë dhe të mos harxhohen të holla badihava”.
Kujtojmë se katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë ende pa kryetarë për shkak të dorëheqjeve që dhanë serbët, pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se do të ketë shqiptim të gjobave për vozitësit e veturave me targa ilegale.
Zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të shkuar, u shtynë për shkak të tensioneve dhe barrikadave që kishin ngritur grupet kriminale në veri.
Tani 23 prilli, dita e mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok po afron, mirëpo subjekti që zakonisht i fiton zgjedhjet në këto katër komuna “Lista Serbe” nuk do të marrë pjesë kësaj radhe.
Mospjesëmarrja e Listës Serbe në këto zgjedhje ka ngritur shqetësimet se ky proces zgjedhor nuk do të mund të zhvillohet pa tensione.
Klikoni në vegëzat e mëposhtme për t’u informuar më shumë rreth gjendjes së sigurisë në këto katër komuna ku pritet të mbahen zgjedhjet./PrishtinaPress/