Sot (e enjte) janë në orar për t’u zhvilluar ndeshjet e para në kuadër të gjysmëfinales në Kupën e Kosovës.
Mesjava ka rezervuar futbollin në Kosovë, me ndeshjet e Kupës të cilat zhvillohen sot në kuadër të gjysmëfinales.
Me katër klube të mbetura tashmë në garë, të gjitha synojnë ta bëjnë hapin e madh për të kaluar në finale dhe për të siguruar trofeun.
Prishtina, Llapi, Drita dhe Ramiz Sadiku janë katër skuadrat që gjenden në këtë fazë dhe kërkojnë trofeun, i cili i dërgon në Evropë.
Padyshim ndeshje më e fortë dhe më interesante është ajo në mes të dy skuadrave nga Superliga, Prishtina dhe Llapi, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në ndeshjen tjetër, Drita është nikoqire e Ramiz Sadikut në takimin që pritet të zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Të dy ndeshjet janë paraparë të nisin nga ora 14:00, ndërsa takimet e dyta janë planifikuar për javën e ardhshme.