Sot do të zhvillohen katër çiftet çerekfinaliste të Kupës së Kosovës në futboll.
Ndeshja kryesore është ajo mes Prishtinës dhe Ballkanit, e cila zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Dy skuadrat u ballafaquan jo shumë kohë më parë në Superligë, duke u ndarë baras me rezultat 2-2.
Kryeqytetasit arritën në çerekfinale duke e mposhtur Dukagjinin në raundin e 16-të, ndërkohë që suharekasit mposhtën skuadrën e ligës së parë A&N, me rezultat 2-0.
Një ndeshje tjetër interesante është ajo mes Llapit dhe Malishevës.
Dy herë fituesit e Kupës, Llapi, e mirëpresin në “Zahir Pajaziti” skuadrën e Malishevës.
Llapjanët mposhtën Lirinë me rezultat 3-2 në raundin paraprak, ndërkohë që Malisheva eliminoi Fushë Kosovën me rezultat 2-0.
Ndeshja tjetër gjithashtu e rëndësishme, luhet mes dy skuadrave tjera të Superligës, ajo mes Trepçës 89 dhe Gjilanit në “Riza Lushta”.
Mitrovicasit kishin eliminuar Feronikelin me rezultat zyrtar 3-0, kurse gjilanasit kishin mposhtur Vjosën 4-0.
Sfida e katërt zhvillohet mes skuadrës së ligës së parë, Vushtrrisë, dhe asaj të ligës së dytë, Beharit.
Të gjitha duelet nisin nga ora 13:00.