Site icon PrishtinaPress

Sot vazhdon edhe gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Në Gjykatën Speciale në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e Specializuara, seanca do të fillojë në ora 09:30, derisa do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit me radhë i cili do të i’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë.

Kujtojmë se dëshmitari me numër 11, ka thënë se në dhomën ku mbaheshin të mbyllur në fabrikën e metaleve në Kukës, janë urdhëruar që t’i japin shuplakë njëri-tjetrit.

“Na kanë detyru shoqi-shoqit me i ra shuplakë sa të mujsh, sa ma shumë n’mujsh me i ra”, tha ai.

Lidhur me atë se kush i ka detyruar për këtë, ai tha se “erdhën nja dy persona edhe një civil aty dhe na urdhërun me i ra shoqi-shoqit”.

Paraprakisht, dëshmitari dha sqarime lidhur me incidentet që i kishin ndodhur atij, njëherë që ishte rrahur me shufër gome në pjesën e kraharorit, që e përshkroi se kishte pasur shumë dhimbje të madhe dhe herën e dytë pas disa ditësh që i kishin mavijosur syrin me grusht.

“Ishte mëngjes, ora nuk e di përafërsisht 9 a 10, hynë tre persona dhe ma ulën kryet që mos me mujt me pa dhe nuk e di qysh veç kur e kom pa që syni m’u mshel, më ranë me grusht, fort më ranë me grusht, qashtu që m’u mshel syni ma nuk di gja, s’kom pa gjo’’, tha tutje ai.

Dëshmitari tha se syri iu ishte nxirë dhe kishe pasur pak gjakderdhje dhe dhimbje të mëdha, duke thënë se edhe sot e asaj dite syri i loton shumë shpesh.

Kurse, i pyetur nëse atë ditë i kishin thënë diçka, ai tha se ka dëgjuar vetëm zëra, duke thënë ‘‘shpiuna, tradhtarë’’, që sipas dëshmitarit ishte për personat në atë dhomë.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version