“Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”, është thirrja që po bëhet në rrjet drejtuar qytetarëve, për të dalë në protestë ditën e premte në orën 19:00 para kryeministrisë, për të protestuar në mbështetje të Kosovës.
Kjo nismë është nxitur nga stituata e krijuar së fundmi në Kosovë, si dhe nga deklarata e kryeministrit Edi Rama për anulimin e mbledhjes së dy qeverive.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.
“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, shtoi ai.
Kryeministri i Shqipërisë tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Rama tha se Kurti kishte kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutonin për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Rama tha se kjo nuk mund të ndodhte sepse, sipas tij, nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.
Rama tha se ka bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë ndërkombëtarëve dhe se ka marrë edhe pak kohë, por paralajmëroi se nëse kjo kohe nuk shfrytëzohet, atëherë “kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”.
“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit [të Kosovës, Albin Kurti], unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”, theksoi Rama.