Sot do të lirohen 95 persona nga karantina në konviktet e Qendrës së Studentëve, pasi të shtunën dolën negativë në testin për coronavirus.
Lajmin e ka bërë të ditur dje infektologu, Izet Sadiku, i cili tha se ky është grupi i tretë që po testohen.
“Sot është testuar edhe grupi i tretë i personave të vendosur në Karantinë në Qendrën e Studentëve. Janë testuar 95 persona për COVID19 dhe të gjithë janë negativ!”, ka shkruar ai.
Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se gjatë ditës së premte IKSHPK ka bërë testimin e 36 personave të karantinuar në Qendrën e Studentëve dhe se 35 prej tyre kanë rezultuar negativ në Covid-19 dhe një pozitiv.
Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe pesë raste të të infektuarve me coronavirus në Kosovë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 140.
Gjithashtu, më 4 prill janë shëruar edhe shtatë pacientë që kanë qenë të infektuar me coronavirusin e ri. Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 23.