0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Sot priten diskutime për draft-statutin e Asociacionit që Kurti tha se nuk e ka parë

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe pritet të jetë tema kryesore në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot në Bruksel.

Pak orë para takimit Kurti ka deklaruar se nuk e di çfarë drafti për Asociacionin do ta prezantojë Bashkimi Evropian teksa është zotuar se nuk do t’i jepet kurrfarë pushteti ekzekutiv komunitetit serb në Kosovë.

Marrë parasysh qëndrimet e palëve rreth Asociacionit, njohës të zhvillimeve presin mospajtime të forta në takimin e së martës

Nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur nga lufta e fundit dhe drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë çështjet për të cilat do të diskutohet në takimin në Bruksel.

Ky do të jetë takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, pas marrëveshjes së Ohrit.

Në prag të takimit, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar Kurtin në Greqi për të diskutuar rreth detajeve të takimit. Diplomati sllovak e ka përshkruar takimin e 2 majit si veçanërisht të rëndësishëm.

“Me t’u kthyer në Bruksel pata një nga shkëmbimet e mia të rregullta me socialdemokratët në Parlamentin Evropian, të cilët ndjekin nga afër rajonin dhe rregullisht udhëtojnë dhe ndërveprojnë me Ballkanin. Dhe e mbylla javën time me diell, ku mora pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit në qytetin antik të Delfit. Greqia, si një fqinj i Ballkanit, e njeh dhe e kupton mirë rajonin dhe prandaj forumi i kushtoi vëmendje të veçantë të ardhmes së rajonit”, ka shkruar Lajçak në Facebook. “E informova mikun tim të mirë, ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias për zhvillimet e fundit të dialogu. U takova me kryeministrin Albin Kurti për t’u përgatitur në detaje për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë më 2 maj, i cili do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm”.

Lidhur me draftin, që është paralajmëruar të prezantohet sot, kryeministri Kurti ka thënë për mediumin kroat “Hina” se nuk e ka parë atë.

“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka shprehur synimin për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, por siç ka thënë, jo duke i dhënë kompetenca ekzekutive komunitetit serb në Kosovë.

“Vendi ynë, megjithatë, është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorializimin në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës. Sovraniteti dhe integriteti territorial janë diçka që nuk guxojnë të cenohen. Unë dua marrëdhënie normale me Serbinë, marrëdhënie evropiane, marrëdhënie të mira fqinjësore. Mbrojtja e minoriteteve është e rëndësishme për ne. Por ne nuk mund t’i japim pushtetin ekzekutiv komunitetit lokal, sepse pushteti ekzekutiv u takon qeverisë dhe komunave”, ka theksuar ai.

E zyrtarët serbë kanë deklaruar se Kurti sërish do t’i shmanget temës së Asociacionit, për të cilin insistojnë që udhërrëfyes të jenë marrëveshjet nga dialogu i kaluar. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka akuzuar Kurtin se çdo ditë krijon kriza të reja, me qëllim që ta largojë vëmendjen te problemet në terren, “për të ardhur në përfundim se ende nuk ka kushte për formimin e Asociacionit”.

“Ata sigurisht presin që serbët të dëbohen dhe të mos ketë nevojë për Asociacionin e Komunave Serbe. Serbia ka qëndrim të prerë. Ne do të jemi me popullin tonë në Kosovë. Para takimit të nesërm, një gjë është e sigurt – Serbia do të jetë konstruktive dhe presidenti Vuçiq është i gatshëm për atë takim”, ka potencuar Daçiq. “Ka vetëm dy gjëra në planin e zbatimit që janë përmendur konkretisht në fillim – Asociacioni dhe deklarata për personat e zhdukur. Këto do të jenë, siç më tha presidenti Vuçiq, temat kryesore. Në këtë moment është vërtet shumë e vështirë të thuhet se si dhe me çfarë dinamike do të shkojë e gjitha. Por kjo është me rëndësi thelbësore, sepse pa Asociacionin nuk do të ketë zbatim të pjesëve të tjera të asaj marrëveshjeje”.

Në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është bërë e ditur se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.

Mbrëmë, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka bërë të ditur se e ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Sipas Chollet, në këtë bisedë është diskutuar edhe për rëndësinë e implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në mënyrë të menjëhershme.

“Një bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurti rreth takimit të liderëve më 2 maj, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE, rëndësinë e implementimit të menjëhershëm të Asociacionit me shumicë Serbe dhe partneritetin e fuqishëm mes SHBA-së dhe Kosovës”, ka bërë të ditur Chollet./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img